TIRANË- Anela Osmani është marrë e pandehur pas hetimit të nisur mbi denoncimin e modeles Kejvina Kthjella, e cila pretendon se i ka dhënë Osmanit 8 mijë euro, por shuma nuk i është kthyer. Osmani, e cila tashmë punon dhe kryeinspektore në një institucion të shëndetësisë Shqiptare, është marrë e pandehur për akuzën e "Mashtrimit" dhe rrezikon të marrë një dënim deri në 5 vite burgim.
Çështja është hetuar nga prokurori Bledar Valikaj, i cili, bazuar në materialet e administruara gjatë hetimit, ka arritur në përfundimin se ekzistojnë elementë të veprës penale.
Sipas të dhënave të dosjes, paratë i janë dhënë Osmanit me mirëbesim, ndërsa më pas mes palëve ka lindur konflikti për kthimin e shumës. Por, pas disa muajsh hetime, prokuroria ka vendosur ta marrë Osmanin të pandehur për veprën penale të “Mashtrimit”.
Siç rezulton dhe në dosje Kthjella, ka rënë pre e mashtrimit financiar, pasi shoqja e saj, i ka marrë një shumë financiare prej 8 mijë euro, duke i premtuar se do ja mbante por nuk ja ka kthyer më. Në muajin Maj 2026, Anela Osmani nga qyteti i Gramshit është proceduar nga Prokuroria e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit”. Ndërsa tashmë ajo është marrë e pandehur dhe dosja kundër saj është dërguar në gjykatë.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se rasti është denoncuar në policinë e Tiranës në fillim të muajit Maj 2026, ndërsa në datën 7 Maj, materiali hetimor ka mbërritur për veprime hetimore në prokurori, raporton Syri Tv.
Mësohet se fillimisht pprokurori i çështjes, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për të ndaluarën Anela Osmani, e cila sipas tij ka konsumuar veprën penale të “Mashtrimit” për paragrafin e parë, duke mos kaluar në sjelljen e pasojave të rënda.
Sipas kallëzimit që Kejvina Kthjella ka bërë në polici, sasinë prej 8 mijë euro ajo e kishte kursyer nga të ardhurat e punës. Këtë shumë ajo ja ka lënë në ruajtje shoqes së saj të lagjes, Anela Osmani, pasi vetë Kejvina do shkonte në banesën e të afërmve të saj në Lezhë.
Për shkak se në shtëpinë në Tiranë, do shkonte pastruesja, sasinë e parave e ka hequr dhe ja ka dhënë në ruajtje, Anela Osmanit. Kjo e fundit ka marrë shumën financiare dhe sot e kësaj dite nuk ia ka kthyer megjithëse, prokuroria e Tiranës ka nisur një dosje penale për “Mashtrim”.
Anela Osmani, ka filluar të justifikohet para Kejvina Kthjellën duke i pohuar kësaj të fundit se lekët i kishte futur në kasafortë, por nuk munda ta hapte kasafortën pasi e kishte harruar kodin e saj.
Mirëpo pas këmbënguljes së Kejvinës, Anela Osmani, ka hapur kasafortën dhe lekët nuk ishin aty. Anela Osmani, ka vijuar sërish me mashtrime, duke vijuar të justifikohet se sasinë prej 8 mijë euro e kishte futur në llogarinë e saj në bankë, por llogaria tashmë ishte bllokuar nga përmbarimi dhe s’mund të kryente veprime tërheqje.
Pas këtyre pretendimeve mashtruese, Kejvina Kthjella, i është drejtuar policisë së Tiranës duke depozituar kallëzim penal ndaj shoqes së saj, Anela Osmani.
Kjo e fundit është arrestuar nga policia dhe në muajin Maj 2026 ka dalë para gjykatës së Tiranës, ku është njohur me masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Tashmë çështja penale kundër Anela Osmanit, është dërguar në gjyq si e pandehur për akuzën e “Mashtrimit”.