Aktualitet

Iu vendos tritol në banesë/ KLGJ: 6 muaj mbrojtje për gjyqtarin e Shkodrës, ngjarja ende pa autor

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka qenë pranë KLGJ, theksoi se shpreson që të ketë rezultate konkrete nga hetimet për këtë rast.

f.t
Iu vendos tritol në banesë/ KLGJ: 6 muaj mbrojtje për gjyqtarin e
TONIN STËRKAJ

SHKODËR-Pas vendosjes së një sasie tritoli në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbledhjen e sotme ka vendosur të caktojë mbrojtje për gjykatësin dhe familjen e tij. Të gjithë anëtarët vendosën me vota unanime që për një periudhë 6 mujore, Gjyqtari Stërkaj dhe familjat e tij të vendoset në mbrojtje nga efektivë të policisë së shtetit dhe repartit “RESI”.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Taulant Balla i cili ka qenë pranë KLGJ, theksoi se shpreson që të ketë rezultate konkrete nga hetimet për këtë rast, duke shtuar se magjistratët duhet të mbrohen në kryerjen e detyrave të tyre.

"Unë kam marrë një takim me magjistratin, i kam shprehur solidaritetin. Policia do iu ofrojë mbrojtje personale dhe familjes të magjistratit. Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e saj. Shpresoj që në vijim të kemi rezultate konkrete, që të japim mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor. Duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, për të ofruar më shumë siguri ndaj magjistratëve dhe prokurorëve,"-u shpreh Balla.

Si ndodhi ngjarja

Sipas policisë vendore, ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 13 minuta më 28 prilli, në portën e banesës se gjyqtarit, në lagjen “Tom Kola” të qytetit, në kohën kur ai ndodhej në banesë së bashku me familjen. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme të pakta materiale. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person duke vendosur lëndën shpërthuese, por pa arritur ta identifikojnë. Vetë gjyqtari gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, është shprehur se nuk ka ndonjë çështje specifike në ngarkim, që mund të kenë çuar në vendosjen e lëndës plasëse. Sterkaj dhe gruaja e tij, kanë mohuar që të kenë konflikte, përveç atyre që mund të lidhen me detyrën e gjyqtarit të Shkodrës.

Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër. Dy vite, ai ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Deri më tani, tre persona janë shoqëruar që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe autorët./ZËRI

Poll

MOS HUMB