
TIRANË- Është zbardhur dëshmia e Artan Tafanit për dy nga 6 vrasjet që u zbuluan përgjatë operacionit "Never Forget". Një nga dëshmitë më të rënda sa i takon mënyrës së ekzekutimit është vrasja e Fridman Xhaferrjat e ndodhur në Korçë, ndërsa një ditë më parë po nga grupi i Haxhiut është eleminuar për shumën e 50 mijë eurove biznesmenin nga Tepelena Çajup Selimi.
Fridmani, sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, teksa akuzohej për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga kushëriri i tij, Laert Haxhiu. Xhaferaj dhe Haxhiu, nuk ishin thjesht dy të njohur në Lushnjë, por ata janë kushërinj mes njëri-tjetrin. Pas vrasjes me një plumb pistolete, Fridmani, është hedhur në ujërat e një rezervuari në Korçë, duke dalë trupi i tij i pajetë në sipërfaqen e ujit, pas 12 ditë.
Gazetari Elton Qyno ka zbardhur dosjen hetimore të prokurorisë së Elbasanit, e cila nga mesdita e djeshme ka çuar materialin voluminoz në gjykatën e Elbasanit, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për 13 personat e arrestuar.
Vrasja e Fridman Xhaferaj
Vrasja e tij në Korçë, është kryer vetëm sepse Xhaferaj e kishte kërcënuar kushëririn e tij Laertin, se nëse ky i fundit nuk e ndihmonte për ta nxjerrë nga burgu i Peqinit, ai do të fillonte të fliste në polici dhe prokurori, për vendodhjen e të kërkuarit Laert Haxhiu dhe krimet e tij.
“…kërcënimi apo shantazhimi se Fridmani do fliste në burg, nëse Laerti nuk e ndihmonte, nuk është pritur mirë nga Haxhiu. Këtë mesazh, Fridmani ja kishte çuar këshëririt të tij, përmes avokatit që shkonte çdo muaj e takonte në burg. Avokati ia ka përcjellë Laert Haxhiut dhe që në këtë moment, ai ka filluar të dyshojë mbi besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e Fridmanit. Në këtë moment Laerti, ka filluar të bëjë plane dhe të flasë për ndëshkimin e tradhtarëve, ndërsa shprehej se kushëriri i tij, i kishte ulur reputacionin…Fridmani kishte rënë në burg për djegien e një makine”-tregon bashkëpunëtori i prokurorisë.
Përmes lidhjeve të tij, Laert Haxhiu arrin të ndryshojë në gjykatën e Lushnjës, masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për Fridman Xhaferaj. Pas daljes së Fridmanit nga burgu, Laert Haxhiu filloi të vërë dalë nga dalë në zbatim planin për vrasjen e tij.
Në këtë vrasje kanë marrë pjesë Laert Haxhiu, Artan Tafani, Lulzim Spahija, Ligor Romaçka (Golja), Mariglen Topuzi, Bledar Berberi, vëllai i “Koros” dhe Idriz Manej nga Shkodra me nofkën “Gjyshko”. Sipas të penduarit, vrasja është kryer në një vend tjetër, ndërsa trupi i pajetë është hedhur në rezervuarin e Gjançit në Korçë.
“…Fridman Xhaferaj, para se të vritej është rrahur… Laerti së bashku me ne, i kërkonim llogari nëse kishte folur dhe pse kishte shantazhuar dhe kërcënuar nga brenda burgut. E kemi goditur disa herë. Kur e vramë ai kishte rënë në gjunjë, ndërsa dy persona e tërhiqnin nga të dy krahët. Fridmani, pa pistoletat dhe filloi të ushtronte forcë për t’u larguar, por s’mund të lëvizte se dy veta e mbanin me forcë nga krahët. Ai i ka kërkuar falje Laertit, është përgjëruar dhe lutur të mos e vrisnin, në këtë moment është qëlluar me plumb pas koke. Për shkak se Fridmani ka lëvizur kokën shumë shpejt, plumbi i ka shkaktuar një të çarë, por i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Me makinë e kemi transportuar në Gjanç, ku trupin e pajetë e hodhën në rezervuar…”, ka treguar Artan Tafani.
Ndërkohë 24 orë përpara se të vrisnin Xhaferrajn në Korçë, grupi i Laert Haxhiu ka kryer një tjetër vrasje në Tepelënë, bëhet fjalë për tregtarin Çajup Selimin në Tepelenë.
Vrasja e Çajup Selimit u krye për 50 mijë euro
Bashkëpunëtori i prokurorisë së Elbasanit, ka treguar krime nga data 1 qershor 2021 deri në momentin e grabitjes së “Tele.Co” në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku ai u zbulua.
“…në 1 qershor 2021 në Tepelenë, unë së bashku me Laert Haxhiun, Erisiano Abedinin, Lulzim Spahinë, Ligor Romaçkën dhe Bujar Abedinin, kemi ekzekutuar në shkallët e një pallati, Çajup Selimin. Porosinë për këtë vrasje e kishte marë, Laert Haxhiu, ku me sa mbaj mend shuma ishte paguar 50 mijë euro. Erisiano Abedini dhe Bujar Abedini, ishin njerëzit që na mbanin në kontakt për sa i përket informacioneve për lëvizjen e Çajupit. Vrasjen zgjodhëm ta kryenim natën, kur Çajupi të kthehej në shtëpinë e tij që e kishte në pallat…”, ka treguar Artan Tafani.