TIRANË- Notereja Sanja Telhallari ka reaguar pasi iu sekuestruan pasuri me vlerë 3 milionë euro në prona dhe llogari bankare. Telhallari ka reaguar për Top Channel, duke deklaruar se të ardhurat si notere i ka të gjitha të ligjshmem ndërsa thekson se e shkuara e bashkëshortit nuk mund ta prekë. Ajo thotë se do të vijojë punën normalisht deri sa gjykata dhe prokuroria të kenë thënë fjalën e tyre.
Hetimet kanë zbuluar se 35-vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme gjatë 11 viteve, nga 2013 deri në 2024. Bëhet fjalë për pasuri të tilla, si: Apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në në prej komplekseve më elitare në Tiranë
Noterja ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere. Këtë luks 35 vjeçarja nuk nguronte ta publikonte as në rrjetet e saj sociale.
Sot 13 prona dhe 5 llogaritë bankare të Sanja Telhallarit janë sekuestruar, vlerë e cila nuk justifikohet nga puna e saj. Në mesin e pronave të sekuestruara është dhe një vilë në një zonë rezidenciale në periferi të Tiranës, që sipas prokurorisë dyshohet të jetë blerë dhe në sajë të aktivitetit të paligjshëm i kryer nga ish-bashkëshorti i noteres. Shtetasi K.P është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.
Por para sekuestrimit, pasuria e noteres ishte 'synimi' i hajdutëve. Grabitja e fundit në korrik të këtij viti do të kthente 'sytë' e autoriteteve nga jeta luksoze e Sanja Telhallari. Në Korrik të këtij viti, vila e sekuestruar tashmë e noteres, ra pre e një grabitje, të denoncuar nga vetë Telhallari. Asokohe në media u raportua se Telhallari pretendonte se i ishin marrë rreth 500 mijë euro cash nga banesa, burimi i të cilave sipas prokurorisë së Tiranës, tashmë zyrtarisht, është i dyshimtë./ZËRI
