
BELGJIKË-Ka ndërruar jetë në një spital në Belgjikë Agustin Kaza, 45-vjecari të cilit iu bë atentat rreth një javë më parë në Belgjikë. Kaza u qëllua me armë zjarri në tarracën e një kafeneje shqiptare mbrëmjen e 28 prillit. Ai ishte në koma për shkak të dy plumbave që kishte marrë në kokë dhe dy të tjetër në gjoks.
45-vjeçari rezulton se është vëllai i Martin Kazës, i cili është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Korrik të vitit 1997 në Mirditë. Kjo histori familjare ka bërë që vrasja për hakmarrje të jetë një nga pistat që po hetohet nga policia belge, por nuk përjashtohet edhe mundësia që Agustin Kaza të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Autoritetet ende nuk e ka identifikuar apo arrestuar autorin, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Historia e gjakmarrjes mes fiseve
Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.
Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Mediat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona.
Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg. Tashmë ai është duke vuajtur dënimin në burgjet shqiptare, ndërsa i vëllai i tij është duke luftuar për jetën në spitalet belge./ZËRI