Aktualitet

Atentati ndaj Agustin Kazës në Belgjikë, zinxhiri i hakmarrjeve me fisin Gjini. I vranë të vëllanë komisar

3 vëllezër, njëri i vrarë në vitin 1994, tjetri në burg për vrasje të dyfishtë, dhe i treti në luftë për jetën në spitalin belg

E.K
Atentati ndaj Agustin Kazës në Belgjikë, zinxhiri i hakmarrjeve
Martin Kaza, vuan denimin per vrasje te dyfishte

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri që iu bë shqiptarit Agustin Kaza në Belgjikë. Ky i fundit u qëllua disa herë me armë, në ambientet e jashtme të një kafeneje, dhe tashmë ndodhet në koma, në rrezik për jetën. 44-vjeçari, sipas burimeve, rezulton se është vëllai i Martin Kazës, i cili është dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Korrik të vitit 1997 në Mirditë. Kjo histori familjare ka bërë që vrasja për hakmarrje të jetë një nga pistat që po hetohet nga policia belge, por nuk përjashtohet edhe mundësia që Agustin Kaza të jetë i përfshirë në trafikun e drogës.

Martin Kaza është dënuar me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain në qendër të Rrëshenit në 1994. Martin Kaza u ekstradua nga Britania e Madhe në vendin tonë, në dhjetor të vitit 2017. Deri në atë kohë, Kaza jetonte në Britani të Madhe që prej vitit 2001. Disa vite pasi vrau vëllezërit Agustin dhe Dod Gjini, 46-vjeçari u arratis drejt Anglisë për të kërkuar azil, duke pretenduar se ishte refugjat lufte nga Kosova. Ai përdorte identitetin e rremë Naim Karagjia.

Historia e gjakmarrjes mes fiseve

Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale.

Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Mediat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona.

Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg. Tashmë ai është duke vuajtur dënimin në burgjet shqiptare, ndërsa i vëllai i tij është duke luftuar për jetën në spitalet belge.

Si shpëtoi për 20 vite nga arrestimi Martin Kaza

Pasi mbërriti në Britani, në vitin 2008 Kaza u martua me zonjën Majlinda Dule. Martin Kaza është baba i tre fëmijëve të lindur në Britani të Madhe. Ai bënte punë të ndryshme në restorante, lavazhe dhe punonte në ndërtim.

Pas arrestimit të tij nga autoritetet angleze me qëllim ekstradimin në Shqipëri, avokati i 46-vjeçarit apeloi çështjen në Gjykatën e Lartë angleze. Procesi gjyqësor për ekstradimin e tij drejt vendit tonë zgjati 10 muaj. Gjatë seancave gjyqësore, Kaza ishte shprehur se ekstradimi i tij nga Anglia ku kishte punuar për 18 vite, shkelte të drejtat e njeriut dhe ishte i pajustifikuar.

Po ashtu, ai i tregoi gjykatës se për t’iu shmangur familjes Gjini me të cilën ishte në hasmëri, pasi në 1994 ata i kishin vrarë vëllain Ndue Kaza, oficer policie, ai ishte fshehur në Greqi. Martin Kaza, si pjesë të mbrojtjes për të shmangur ekstradimin i tregoi gjykatës se e kishin goditur 4 herë me thikë dhe kishte përfunduar në koma pasi ishte dëbuar nga Greqia. Megjithatë, gjykata angleze nuk u bind nga argumentimet e Martin Kazës dhe vendosi ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin në Shqipëri.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB