
TIRANË - Ish-drejtori Sportiv i Partizanit këtë të hënë ka qenë në ambjetet e Prokurorisë së Posaçme, ku sipas burimeve është pyetur sa i përket hetimit që ka nisur për Ermal Kurtulajn, bashkëpunëtorin më të ngushtë të ish-ministrit Ilir Beqaj.
Kjo pasi në dosjen evidentohet nga Spak se në datë 18.08.2023, ora 17:42, kundrejt Eusair Facility Point është lëshuar fatura nga Nine Services INT me përshkrimin “Konsulencë bazuar në kontratë”, në shumën 35.200 euro, faturë pa TVSH, e cila lidhet me bisedën që shtetasi Ermal Kurtulaj ka zhvilluar me shtetasin Genci Shurdo në datë 02.08.2023. Duke qenë se shtetasi Genci Shurdho nuk ka mundur ta lëshojë këtë faturë, personi nën hetim ka siguruar lëshimin e kësaj fature nëpërmjet shtetasit Elton Marini, ortak dhe administrator i shoqërisë tregtare “Nine Services INT” SHPK, me numër Nipti L72303022H.
Nga ekstrakti i thjeshtë i dhënave të regjistrimit në QKB, rezulton se kjo shoqëri është krijuar në datë 03.11.2017 dhe ka ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Elton Marini, me adresë, rruga ‘Frosina Plaku’.

Kjo shoqëri ka si objekt të aktivitetit të saj “Shërbime dhe konsulentë në aktivitet sportive, në veçanti në sportin e futbollit, konsulencë në mbarëvajtjen e situatave kontraktuare për kategorinë e sportistëve futbollistë, ndërmjetësim për shitjen e të drejtave televizive që lidhen me aktivitete sportive futbollisti etj”. Nga aksesimi i listëpagesave për muajin tetor 2023, rezulton se të punësuar pranë kësaj shoqërie janë deklaruar shtetasit Elton Marini dhe Odeta Marini”.
Prokuroria parashtron se lëshimi i kësaj fature dyshohet se është fiktive, referuar bisedave që ka zhvilluar me shtetasin Genci Shurdho, duke marrë parasysh vlerën dhe periudhen kohore që përkon me këtë bisedë, si dhe veprimin në situata të ngjashme. Në bisedat e mëvonshme të muajve gusht-shtator 2023, Ermali i kërkon Elton Marinit vulën dhe po ashtu i thotë se i duhej një firmë tjetër. Nisur nga përmbajtja e bisedës, ka të dhëna se ata takohen me njëri-tjetrin./Ora News/