
TIRANË- "Kurrë mos harro!,"-kështu u kodua operacioni i zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit pas bashkëpunimit të Artan Tafanit me drejtësinë. Në rrëfimin e tij, Tafani pretendon se ka kryer disa vrasje dhe vepra të tjera kriminale, me Laert Haxhiun. "Zëri.ai" kontaktoi vetë me avokatin e 31-vjeçarit, i cili aktualisht është i arrestuar në Greqi.
Në prononcimin e tij, avokati Detar Hysi tha se e gjithë dosja është publikuar për "interesa të caktuara" duke zgjedhur që të mos shtojë më shumë detaje. Po ashtu, hodhi dyshime edhe mbi verifikimet e vërtetësisë së rrëfimit të "penditos".
"Për këdo që konsumon procedurë penale në përditshmërinë e tij të punës, nuk ndodh ligjërisht që dëshmia e një bashkëpunëtori të drejtësisë (pendito) të verifikohet ose konfirmohet për një periudhë të shkurtër prej 3 ditësh. Kjo është e pamundur pasi hetimi është shumë komplex kërkon kohën e duhur për hetimin e krimeve të tilla. Çdo procedurë duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe jo për interesa të caktuara, të cilat do të dalin gjatë gjykimit të kësaj çështje. Kur them për interesa të caktuara apo për statistika mediatike/ karriere,"-tha avokati Hysi për "Zëri.ai".
Si finalizua operacioni?
Mbrëmjen e së mërkurës, deri paraditen e sotme, Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Never Forget”. Janë zbardhur në total 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 6 vrasje. 6 vrasjet e bujshme janë ato të: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Në total janë lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat janë ekzekutuar 12 ndërsa 3 persona janë shpallur në kërkim. Laert Haxhiu sipas Policisë së Shtetit është organizator dhe porositës i dy vrasjeve në Athinë. Ndaj dhe organet e drejtësisë priten t’i dorëzojnë autoriteteve greke provat e reja kundër Laert Haxhiut, i cili u arrestua më 23 maj të këtij viti në Janinë. Haxhiu ndodhet në burg dhe po gjykohet për akuzën e largimit nga vendi i aksidentit dhe atë prishjes së qetësisë publike. Drejtësia shqiptare ka kërkuar ekstradimin e tij, por deri më tani kërkesa është rrëzuar nga pala greke./Zëri.ai