
GREQI- Kishte shkuar në Greqi pas divorcit, me dy fëmijët e saj në ngarkim për të cilët punonte orar e pa orar, nga mëngjesi e deri në mbrëmje vonë, kur i ofrohej punë si pastruese. Është kjo historia fatkeqe e gruas shqiptare, e identifikuar si Lubiana, e cila humbi jetën teksa po punonte në një fabrikë për përpunimin e mishit në zonën e Meselongjit në Greqi, teksa u masakrua nga pajisja e grirjes së mishit.
Vajza e saj ka qenë prezente në momentin fatal, ndërsa pa të ëmën të humbiste jetën në mënyrë makabre. E reja është dërguar në spital për shkak të traumës që ka pësuar. Policia arrestoi pronarin e fabrikës ku ndodhi ngjarja e rëndë, nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.
Postimi i fundit në rrjetet sociale- Gruaja fatkeqe pak orë para se të vdiste kishte bërë një postim në gjuhën shqipe në llogarinë e saj personale në Facebook, ku shkruante: “Është e vështirë të presësh diçka, e cila mund të mos ndodhë kurrë. Por është edhe më e vështirë të heqësh dorë nëse kjo është e vetmja gjë që dëshiron”.

Rrëfimi i mikeshës- Më herët gjatë ditës së sotme, një mikeshë e familjes së Lubianës, duke folur për Newsbomb.gr, tha se familja është në gjendje shoku, ndërsa nënvizoi se dy fëmijët e saj kanë nevojë për mbështetje psikologjike.
“Të premten në orën 21:00 e kanë thirrur për të shkuar në punë. Lubiana nuk shkonte kurrë natën në kasap, e pastronte dyqanin në mesditë, ishte hera e parë që e merrnin kaq vonë. Zakonisht shkonte me vajzën e saj në punë. Dje teksa Lubiana po pastronte në kuzhinë, vajza e saj ndodhej në një zonë tjetër të dyqanit, dëgjoi britma, vrapoi dhe pa nënën e saj në këtë situatë”, tha për Newsbomb.gr një mikeshë e familjes.
“Nëna e saj, dy fëmijët dhe katër vëllezërit e motrat po përpiqen të kuptojnë se si ndodhi aksidenti. Gruaja prej dy vitesh jetonte në Messolongji me nënën dhe dy fëmijët, vajzën 18 dhe djalin 10 vjeç, kur erdhi nga Shqipëria, pas ndarjes me bashkëshortin”, shtoi ajo.
“Lubiana punonte së bashku me vajzën e saj nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe pastronin dyqanet për të siguruar jetesën. Vajza e saj, e cila është 18 vjeçe, është dërguar në spitalin e Mesolongjit në gjendje shoku”, zbuloi më tej mikesha e familjes.
50-vjeçarja fatkeqe tentoi të pastronte makinën e mishit kur humbi jetën, pasi flokët iu ngatërruan me makinerinë. Për nxjerrjen e saj nga makineria janë dashur disa orë.
Sipas informacioneve të Newsbomb.gr, 50-vjeçarja punonte si pastruese në disa dyqane të zonës, ndërsa në fabrikën e mishin shkonte vetëm katër ditë në javë.
Në vendin e ngjarjes, njerëzit filluan të mblidheshin me shpejtësi.
“Vajza e saj doli dhe thërriste për ndihmë”, tha një fqinj për ERT. Përveç se si “disa persona hynë në dyqan, panë se nuk mund të bënin asgjë për të ndihmuar dhe më në fund erdhi zjarrfikësja dhe ambulanca”. Fqinja ka raportuar se “e kanë çuar në spital, por dëmi ishte bërë”./Zëri.ai