
TIRANË-Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vihet në një provë integriteti sot, në orën 10:00, kur do të gjykojë një nga gjyqtaret veterane të Gjykatës së Tiranës. Teuta Hoxha është shkarkuar me të drejtë nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më datë 22 nëntor 2022, për një mori shkeljesh, që nga pasuria e pajustifikuar e deri te konflikti i interesit në gjykimin e disa çështjeve.
Burime nga organet e Vetingut i thanë redaksisë së VoxNews se Hoxha, bashkëshorti i saj avokat apo edhe kunati i saj biznesmen, kanë tentuar dhe kanë premtuar që nëse e afërmja e tyre e kalon Vetingun, çdo person do të shpërblehet. Indiciet janë të forta për një mori njerëzish që janë angazhuar për Teuta Hoxhën, ku krahas familjarëve, në lëvizje janë vënë edhe palë të treta, ato që kanë interes që ajo të qëndrojë në Gjykatën e Tiranës. Përballë këtij fakti KPA do të vendosë nëse do të lërë në fuqi një vendim të drejtë apo të “njollosë” përfundimisht të gjithë sistemin.
KPA ka njoftuar në faqen e saj të internetit se “ditën e martë, më datë 8 korrik 2025, ora 10:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr. 4/2023, datë 2 shkurt 2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Teuta Hoxha kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 587, datë 22 nëntor 2022”. Sipas saj, trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga kryesuese Albana Shtylla dhe relatore Rezarta Schuetz. Anëtarë janë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Natasha Mulaj. Padyshim emra të rëndë, që kanë vendosur deri më tani shkarkimin e dhjetëra gjyqtarëve, prokurorëve, apo ndihmësve ligjore.
Vendimi i shkarkimit
Në vendim nuk ka asnjë paqartësi, pasi mes rreshtave është analizuar se gjyqtarja nuk justifikon qindra mijëra euro si dhe apartamente apo zyra. Madje, në vendim shkruhet se ajo ka gënjyer se ka qenë me qira, kur në fakt ka qëndruar te një apartament që e ka pasur në pronësi.
“Në deklaratën Vetting subjekti ka deklaruar apartament me sipërfaqe 91 metër katrorë. Si pronar ka deklaruar babanë e bashkëshortit. Në disa deklarata vjetore nuk e kishte deklaruar përdorimin dhe në disa kishte deklaruar marrëdhënie qiraje dhe pagesë të qirasë” thuhet në vendim.
Ndërkohë, në vendim shkruhet se familja e gjyqtares ka në pronësi edhe një apartament 57 metër katrorë në Golem, Kavajë. Apartamenti me këtë sipërfaqe është blerë për vetëm 2.1 milionë lekë. Gjyqtarja është justifikuar se çmimi u ul nga 30 mijë euro në 2.1 milionë lekë për shkak se bashkëshorti i saj, avokat, do të mbronte pronarin e pallatit në disa çështje gjyqësore.
Ndërkohë, familja ka në pronësi edhe një zyrë me sipërfaqe 74.5 m2 në mes të Tiranës. Apartamenti është blerë për vlerën e rreth 9 milionë lekëve në vitin 2008. Vetingu i bëri një analizë të mirëfilltë financiare të ardhurave dhe kursimeve ku arriti në konkluzionin se ka një “pamundësi financiare për blerje apartamenti në vlerën e 6,355,782 lekë”.
Për blerjen e apartamentit çifti ka deklaruar edhe kontrata huaje me disa biznesmenë dhe pronarë firmash. Këtu nis edhe konflikti i interesit, pasi këta biznesmenë kanë bërë padira në Gjykatën e Tiranës dhe i ka gjykuar pikërisht Teuta Hoxha.