
TIRANË-Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj mbetet në burg! Gykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Veliaj dhe la në fuqi masën arrest me burg për kryebashkiakun. Vendimi është marrë nga trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Albana Boksi, ndërsa anëtarë të tjerë të trupit gjykues ishin Medi Bici dhe Sokol Binaj.
Kjo është shkalla e tretë e gjyqësorit që e le Erion Veliajn në burg. Kryebashkiaku edhe më herët ka kërkuar një masë më të butë sigurie, duke ofruar dhe vënë në dispozicion garanci pasurore pa përcaktuar një shumë duke ia lënë në vlerësim gjykatës, por kjo nuk është pranuar nga Apeli i GJKKO. Mundësia e fundit për kryebashkiakun është Gjykata Kushtetuese.
Me vendimin e dhënë edhe nga kjo shkallë e gjyqësorit, Veliaj mund të humbasë detyrën e tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Disa ditë më parë, në një mbledhje me deputetët dhe drejtuesit e institucioneve të Bashkisë Tiranë, kryeministri Edi Rama preku edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Tiranë.
“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,”- citohet të ketë thënë Rama, duke lënë të kuptohej se priste një përgjigje nga procesi gjyqësor.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen, Ajola Xoxa ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kallëzimi për Veliajn u dorëzua nga një profil i rremë, nën identikitin Nesti Angoni, një person që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Që nga zbulimi i këtij fakti ka pasur shumë aludime se cili është personi që fshihet pas kësaj nofke, por deri më tani nuk është zbuluar./ZËRI