
TIRANË - Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë i ka dorëzuar tre draft marrëveshje Ministrisë së Jashtme, për t’ia përcjellë Emirateve të Bashkuara Arabe, që kanë lidhje me ekstradimet.
Qëllimi i draft marrëveshjeve është ekstradimi i të dënuarve dhe personave në kërkim që strehohen në Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilin Shqipëria nuk ka marrëveshje.
Në draft parashihen edhe bashkëpunime në fusha të tjera penale. Nuk dihet se për cilat emra konkret bëhet fjalë, për të cilët mund të jetë kërkuar ekstradim.
Pas kërkesës së Tiranës, pritet një qëndrim i Emiratave të Bashkuara Arabe në lidhje me propozimin. Shqipëria u vizitua nga zyrtarë të nivelit të lartë të qeverisë së Emirateve, ku është diskutuar lidhur me fushat e bashkëpunimit që mund të krijohen.
Shpesh është përfolur për persona të rrezikshëm nga Shqipëria, që fshihen në Dubai dhe që përfitojnë nga fakti që vendi ynë nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vetë ministri Drejtësisë Ulsi Manja e pati ngritur këtë problematikë pak kohë më parë.
“Marrim dijeni, njoftohemi nga Emiratet e Bashkuara Arabe për persona në kërkim që arrestohen atje për llogari të drejtësisë shqiptare dhe kur ne vëmë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga prokuroria shqiptare nuk na ekstradohen. Kjo është e vërteta.
Kemi bërë të gjitha përpjekjet, por nuk është përgjegjësi e jona kjo. Do të vazhdojmë të kërkojmë vazhdimisht të nënshkruajmë marrëveshje dypalëshe ekstradimi sepse instrumenti i Konventës është i pamjaftueshëm në rastin konkret”, kishte thënë Manja./Zëri.ai/