
TIRANË- Vendimi për inceneratorin e Tiranës do të merret më 16 prill, në orën 13.00. Edhe në seancën e sotme, në mbrojtjen e të pandehurit Namik Simixhi, një nga anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, kërkoi pafajsinë. Për të, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 4 vite burg.
Avokati i tij, Emir Beta, tha se 68-vjeçari po mbahet në burg prej 2 vitesh tashmë, edhe pse vuan nga disa sëmundje duke përmendur probleme me veshkat por edhe sëmundje të tjera kronike.
“Po ju dorëzoj letrën e të pandehurit prej meje, që kërkon të shpallet i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës. E çuditshme si prokurori kërkon denim njësoj si për ministrin, ashtu dhe për specialistin fundor,”- tha avokati. Megjithatë vendimi do të jepet javën që vjen për të gjithë të pandehurit. Për 8 të akuzuarit, SPAK kërkoi në total dënimin me 26 vite burg.
Pretenca për të pandehurit:
Lefter Koka 4 vjet burg
Bledar Karoli 4 vjet burg
Fatjon Murati 4 vjet burg
Taulant Tushe 4 vjet burg
Namik Simixhi 4 vjet burg
Valbona Ballgjini 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
Sidita Kopliku 2 vjet burg, 4 vjet sherbim prove
Jetmir Llapaj 2 vjet burg
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës./ZËRI