
FIER- Fermerët në Fier kanë protestuar sot, duke hedhur të gjithë prodhimin e luleshtrydhes, pas pretendimeve të bëra nga pikat e grumbullimit se janë me pesticide. Ata kanë kërkuar që instuticionet shtetërore të ndërveprojnë, ndërsa akuzojnë Autoritetin e Kontrollit Ushqimor se nuk ka marrë kampione për analizimin e luleshtrydheve që janë kultivuar prej tyre. Ky bllokim, vjen pas skandalit të luleshtrydheve të importuara me pesticide nga Greqia. Në total janë shitur 52kg luleshtrydhe me pesticide, të cilat kanë përfunduar në treg dhe janë konsumuar nga konsumatorët.
“Kërkojmë ndihmë nga shteti. Të marrë kampionë nga tokat ku është luleshtrydhja. Në asnjë parcelë s’ka ardhur AKU. Luleshtrydhja jonë në këtë zonë mban rekord, por shteti jonë pranon të marrë nga jashtë. Më vjen keq për brezin e ri. Pata djalin tim këtu, kur iku më erdhi keq. Ky brez i ri po largohen nga ky vend në të njëjtën kohë kur Rama u kërkon të kthehen e të punojnë. Luleshtrydhja u shit me 2 mijë lekë/kg. sot nuk flitet për kile. Është pa vjelë e gjithë luleshtrydhja. Ne sot s’paguajmë dot punëtorët. Një punëtor që të vjelë 25 arka, do 20 mijë lekë. Po nuk vuri dorë shteti, të thotë ik”, janë shprehur fermerët.
Si pasojë e bllokimit, janë prekur afër 400 fermerë, të cilët kanë gritur akuza ndaj pikave të grumbullimit se po abuzojnë.
“Mund të jenë 300-400 fermerë. Këto janë faturat, pa çmim e asgjë. Jemi në mëshirë të fatit, shteti s’do t’ia dijë. Vjen vetëm për vota. Ne në këto dy muaj punojmë në vit. Gjysma u kalbëzua nga moti, asnjë subvencion, lekët i marrin pikat e grumbullimit. Propaganda po bëhet nëpër pika, te fermeri asgjë. Zero”, janë shprehen ata.
Skandali i ushqimeve me pesticide që futen ose dalin nga vendi ynë ende nuk ka marrë zgjidhje. Disa ditë më parë u zbulua se nga Shqipëria, sërish drejt Kroacisë, ishte ndaluar një ngarkesë me speca. Por edhe pse lajmërimi me "alarm të kuq" është dhënë nga Rapid Alert System for Food and Feed (RASFF) asnjë njoftim zyrtar nuk ka nga ana e Ministrisë së Bujqësisë. Edhe rasti i luleshtrydheve është bërë publik nga mediat, ndërsa autoritetet përkatëse kanë njoftuar më vonë, me AKU që bëri me dije se janë shitur 52 kg luleshtrydhe dhe janë konsumuar./ZËRI