Aktualitet

Inaugurohet baza ajrore e Kuçovës, spektakël avionësh në ajër. Ngrihen dhe dronët Bayraktar (Axhenda)

Të pranishëm në ceremoninë e sotme do të jenë krerët më të lartë të shtetit

E.K
Inaugurohet baza ajrore e Kuçovës, spektakël avionësh
Baza ushtarake e Kucoves

KUÇOVË- Do të inagurohet këtë të hënë, 4 Mars, baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë, pas përfundimit të investimeve që zgjatën rreth 2 vite dhe kushtuan 50 milionë euro. Në ceremoninë që do të zhvillohet paraditen e sotme nga Ministria shqiptare e mbrojtjes do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Aleancës, Stacy Cummings, Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen dhe Prokurimin dhe Gjeneral Lejtnan Pablo Sánchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës.

Ndërkohë, do të jenë të pranishëm dhe do të marrin fjalën, veç Presidentit Bajram Begaj dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ministri Niko Peleshi, dhe 2 ministrat e Mbrojtjes së Italisë e Turqisë.

Pas fjalimeve, është parashikuar dhe një spektakël ajror ku do të fluturojne dy F35, dy F16 dhe 2 Eurofighter për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë. Po ashtu në ajër pritet që të ngrihen dhe dronët Bayraktar, që u sollën pak ditë më parë nga Turqia. Pas montimit ata do të ngrihen sot për herë të parë në ajër. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale.

Punimet për rikonstruksionin e bazës ajrore të Kuçovës, që do të vihet në dispozicion të NATO-s kanë nisur bnë Janar të vitit 2022. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Në kohën kur nisi ndërtimi i kësaj baze, ministri Niko Peleshi deklaroi se ky ishte një mesazh i qartë “për aktorët e tjerë me qëllime të këqija” në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Për autoritetet shqiptare përzgjedhja e bazës së Kuçovës lidhet sa me pozicionin gjeo-strategjik të vendit, si dhe të vetë aeroportit, aq dhe me besueshmërinë që Shqipëria ka krijuar në gjirin e aleancës ushtarake.

Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90, dhe tashmë ajo do të rikthehet sërish në punë.

AGJENDA

07:45 Nisja për në Bazën Ajrore Kuçovë

09:30 Mbërritja në Bazë

10:10 Mbërritja e autoriteteve të larta shtetërore dhe të huaja

10:25 Fillimi i ceremonisë

10:30 Fjala e përshëndetëse e Ministrit të Mbrojtjes Niko PELESHI

10:35 Fjala përshëndetëse e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Arben KINGJI

10:40 Fjala përshëndetëse përfaqësueses së NSPA Stacy. A. CUMMINGS

10:45 Fjala përshëndetëse NATO CAOC Torrejon Commander, Lieutenant General Juan

Pablo Sanchez DE LARA

10:50 Fjala përshëndetëse e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Ameriakne David ËISNER

10:55 Fjala përshëndetëse e Ministrit Turk të Mbrojtjes Yaşar GÜLER

11:00 Fjala përshëndetëse e Ministrit Italian të Mbrojtje Guido CROSETTO

11:05 Fjala përshëndetëse e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi RAMA

11:15 Fjala përshëndetëse e Kryetares se Parlamentit Lindita NIKOLLA

11:20 Fjala përshëndetëse e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bajram BEGAJ.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB