
MAL I ZI- Është identifikuar një prej shtatë personave që dhunuan në mënyrë barbare tre shqiptarët, Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi, në Malin e Zi. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri i Malit te Zi, Milojko Spajic. Në një postim në rrjetet sociale, Sajic shkruan se po punohet për kapjen e tij dhe për identifikimin e kapjen e bashkëpunëtorëve.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët,”- shkruan ai.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së sotme në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip.