Aktualitet

Reagimet/ Mali i Zi: Na vjen keq që shqiptarët u dhunuan! Shqipëria: Autorët të vihen përballë drejtësisë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

F.m
Reagimet/ Mali i Zi: Na vjen keq që shqiptarët u dhunuan!
Shqiptarët e dhunuar

TIRANË- Dhunimi në mënyrë barbare i tre të rinjve shqiptarë në Malin e Zi, Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi, ka prodhuar reagime të shumta nga autoritetet shqiptare dhe të vendit fqinj. Ambasada shqiptare në Mal të Zi ka deklaruar se tre shqiptarët e dhunuar në mënyrë barbare këtë mesditë janë marrë në mbrojtje dhe po i ofrohet çdo shërbim i nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada shqiptare shkruan se shqiptarët kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze.

Kryeministri i Malit te Zi, Milojko Sajic ka shprehur keqardhje për ngjarjen e ndodhur. Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danilo Šaranović, thotë se ngjarja ku tre të rinj nga Shqipëria u dhunuan barbarisht po hetohet me intensitet dhe se djemtë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Policia e Shtetit nga ana tjetër kërkon zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e autorëve përballë drejtësisë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së sotme në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip.

Poll

MOS HUMB