
TIRANË- Shpërthim me tritol në Kamëz. Raportohet se lënda plasëse është vendosur në orët e para të mëngjesit në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën "Donald Trump". Lokali ishte i marrë me qira nga një 24-vjeçar i identifikuar si Oltjon Muçaj. Ky i fundit ka deklaruar në polici se nuk ka konflikte me njeri dhe se nuk e di se kush fshihet pas sulmit.
Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar. Policia bën me dije se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar fasada e jashtme e lokalit dhe janë thyer disa xhama. Autorët ende nuk dihen. Por raportohet se janë dy.
Pas kqyerjes së kamerave në zonë, mësohet se autorët janë afruar pranë lokalit me një "Audi" të zi, njëri nga autorët zbret nga makina i maskuar, afrohet tek "Olti bar Lounge", ndez fitilin dhe e hedh. Përpara se të kryenin sulmin me tritol ata kanë vëzhguar për disa minuta zonën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kamëz/Informacion paraprak Më datë 18.11.2023, rreth orës 04:25, në rrugën “Donald Trump”, në ambientet e jashtme të një lokali të marrë me qira nga shtetasi O. M., 24 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse. Si pasojë është dëmtuar fasada e jashtme e lokalit dhe janë thyer disa xhama. Nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/eve./Zëri.ai