
FIER- Objektivi i 2 atentateve, Aredin Behari është parë sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas "OraNews", ende nuk dihet se përse është thirrur, apo nëse është kërkuar të merret në pyetje si dëshmitar në ndonjë seancë që po zhvillohet për Nuredin Dumanin apo Henrik Hoxhajn.
Behari rezulton të jetë një tregtar nafte në qytetin e Fierit dhe ka pasur konflikte për disa borxhe që u kishte dy vëllezërve, Ardjan dhe Albert Pashaj. Ndaj edhe ky i fundit ka kontaktuar me personin më të besuar të Dumanit, Henrik Hoxhajn duke e paguar 80 mijë euro për të eliminuar Beharin.
Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë. Ndërsa në 2019-ën, Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi.
Si nisi përplasja mes tyre?
Palët (Pashaj dhe Behari) ishin përfshirë në një konflikt gjyqësor në shkallë të parë në Fier dhe në Gjykatën e Apelit Vlorë. Në shkallën e parë, gjyqin e ka fituar Aredin Behari, ndërsa në Apel dy vëllezërit Pashaj. Pas fitores në gjyq, të dy kanë mundur që t'i marrin një shtëpi Aredin Pashaj, por më pas ai i ka hedhur sërish në gjyq, duke i kundërshtuar me një padi civile. Për të shlyer borxhet financiare, Aredin Behari është futur aksioner tek kompania e dy vëllezërve Pashaj. Disa kohë më pas, njëri nga vëllezërit, Albert Pashaj pa dijeninë e vëllait tjetër Ardjanit, ka kontraktuar Henrik Hoxhajn dhe Skerdi Tasin për të vrarë Aredin Beharin.
Ngjarjet janë treguar nga bashkëpuntori i prokurorisë Henrik Hoxhaj, duke sjellë arrestimin e njërit prej vëllezërve Pashaj dhe riarestimin e Henrik Hoxhaj dhe Skerdi Tasit. Po ashtu, SPAK ka sekuestruar dosjet civile dhe penale nga Fieri, ku tregohet historiku i konfliktit mes vëllezërve Pashaj dhe Aredin Beharit.
Ndaj Beharit, janë bërë 2 atentate në vitin 2017 dhe vitin 2019, por dështuan. Tentativa e parë në 2017-ën ka dështuar, pasi Behari i pikasi dhe u shtri përtokë duke u shpëtuar plumbave, ndërsa në 2019-ën, Henrik Hoxhajt iu bllokua kallashnikovi./ZËRI