Aktualitet

I përmendet emri në McGonigal, Agron Neza thirret në SPAK

Vetë Neza i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur shpifje të Sali Berishës. Neza thekson se paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë Mcgonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama

E.K
I përmendet emri në McGonigal, Agron Neza thirret në SPAK
AGRON NEZA DHE MCGONIGAL

TIRANË- Agron Neza, emri i të cilit përmendet në dosjen McGonigal është thirrur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Neza është paraqitur këtë mesditë në SPAK, me kërkesë të prokurorëve, ndërsa emri i tij është lakuar në dosjen e ish-agjentit të FBI. 

Sipas dosjes që është publikuar gjatë procesit gjyqësor në SHBA, në gusht 2017 McGonigal është takuar me Agron Nezën, një ish-agjent shqiptar, i njohur si personi ‘B’, i vendosur prej vitesh në SHBA dhe me pasaportë amerikane.

McGonigal i ka kërkuar para Nezës dhe më pas të bëjnë udhëtime nëpër Europë ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për zotin Neza, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.

Neza, shqiptaro-amerikan, del në dosje se i jep një shumë prej 225 mijë dollarësh McGonigal, që sipas akuzave të ndryshme në vendin tonë, përfshirë dhe ato të bëra nga opozita, janë dhënë për të ushtruar ndikim në favor të kryeministrit Edi Rama. Vetë Neza i ka mohuar këto akuza, duke i quajtur shpifje të Sali Berishës. Neza thekson se paratë për të cilat akuzohet se i ka dhënë Mcgonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama.

“Nuk kisha ndërmend të merresha me Sali Ram Berishën dhe as me deklaratat e tij, por po shoh që po e bën çorbë gjithë median dhe publikun shqiptar kudo që është, e në të njëjtën kohë po mundohet të hedhë baltë.

Unë, Agron Bajram Neza, i akuzuari nga Milaimi dhe Berisha, kam punuar në vitet 1991-1992 në Drejtorinë e Zbulimit Shqiptar, në sektorin e Kosovës duke dhënë kontributin tim për çështjen e Kosovës. Njerëzit që kanë punuar me mua, si në Shqipëri dhe në Kosovë në ato vite, e dinë.

Tani po kthehem te ngjarjet e këtyre ditëve, ku Sali Ram Berisha me çfarë flet, po më nxjerr që jam James Bondi shqiptar, që nuk paskam lënë gjë pa bërë.

Po sqaroj si Sali Berishën që për interesat e tij politike dhe personale është gati të shpifë mbi gjithçka dhe të shkojë edhe më tej shpifjes nëse mundet, ai ka rekorde të errëta në lëmin e shpifjes.

Po ashtu, po sqaroj dhe gazetarët, opinionistët, analistët dhe shqiptarët tanë të dashur kudo që janë dhe ky do të jetë reagimi im i fundit se:

Me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama jam prezantuar diku në vjeshtën e vitit 2017 nëpërmjet mikut tim Charles Mcgonigal, ish-Drejtor i Zyrës së Kundërspiunazhit të FBI-së për Nju Jorkun, në ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit, takim që zgjati ndoshta më pak se dy minuta.

Pas këtij takimi, jam takuar dhe disa herë të tjera dhe në këto takime ka pasur edhe njerëz të tjerë. Nuk mund të them që Kryeministri i Shqipërisë është miku im, e as unë miku i tij përveçse një i njohur. Asnjëherë me kryeministrin Rama nuk kam biseduar çështje biznesi dhe as parash, e gjithashtu mund të them të njëjtën gjë dhe për stafin e tij, me të cilët mund të njihem, siç njoh dhe kam miq dhe të PD, PR, PSD, PL e të tjera parti në Shqipëri.

Përsa i përket problemit që Sali Ram Berisha po flet, duke shpifur se paratë që i kam dhënë mikut tim Charles McGonigal janë para të Kryeministrit Edi Rama apo njerëzve të tij, kjo kategorikisht nuk është e vërtetë.

Jam i bindur që kryeministri Rama, çështjen e dhënies së parave e ka mësuar nga shtypi në të njëjtën kohë që e ka mësuar dhe Sali Berisha dhe çdokush tjetër. Këtu përfundon çështja në lidhje me paratë që unë i kam dhënë Charles McGonigal”, ka deklaruar Neza më herët.

Në lidhje me hetimet e SPAK për këtë çështje, Altin Dumani është treguar tepër i rezervuar në dhënien e informacioneve. Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Dumani tha se informacione për këtë çështje i ka dhënë dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, për të cilat tha se duhen mbajtur sekret./ZËRI 

Poll

MOS HUMB