
DURRËS- Ramazan Meta, vëllai i Pëllumb Metës që u vra nga fëmijët, ka deklaruar se i është dukur e dyshimtë deklarata e Blerina Metës për zhdukjen e tij. Sipas tij bashkëshortja e tij Blerina i ka ushqyer fëmijët gjithmonë me urrejtje ndaj të atit dhe njerëzve të tij. Ajo nuk mbante marrëdhënie të mira me askënd dhe detyronte edhe Pëllumbin të mos u fliste familjarëve, megjithëse i kishte fqinj. Ndërsa për fëmijët Ramazan Meta shprehet për TCH se kanë qenë të qetë përveç djalit të madh Hysenit, i cili sipas tij kishte prirje të dhunshme dhe së fundmi ishte përdorues i lëndëve narkotike.
Fjala e plotë e Ramazan Metës:
Shkaktarja e kësaj punë është vetëm e shoqja, nuk kam çfarë të them më. Autoritetet të gjejnë autorin kryesorë të shkakut, që çuan në atë gjendje vëllain. E shoqja është, se i lëshoi fëmijët kundër babait të vet. Mund të jetë i pakënaqur një fëmijë, por jo të gjithë fëmijët. Gjithë ky vend me duart e tij është rregulluar. Jetonte me fëmijët e vet, duke u munduar, ndërsa fëmijët ia shpërblyen në këtë lloj mënyrë. Them që është kunata, se kush tjetër mund t’i mësonte fëmijët. Çfarë kishin të keqe fëmijët nga babai i vet, duke i shkolluar e mbajtur afër. Hyseni nuk ishte djalë i keq, por udhëzimet e nënës e çuan deri në atë gradë. Se ai vëllai shumë pak gjë të më kishte sinjalizuar atë vëlla. Të rrijë gruaja gjithë ato vite nën presion nuk rri, jo më një familje. Unë me sa kam kuptuar, vëllai ishte i mbyllur në vetvete. Më kënaqej shpirti kur dilte me fëmijët, duke punuar. I tregonte fëmijët çdo gjë. Kishin marrëdhënie shumë të afërt, nuk ka më të afërt se fëmija. Me Hygertën kishin marrëdhënie jashtëzakonisht të mira, madje i ka mësuar edhe makinën. Që t’ia bënte kushtet sa më të mira, që fëmija të kënaqej. Po, po ja shpërblyen në mënyrë të tillë. Peng për vëllain tim kam që vetëm nuk ma ka shprehur, të ishte shprehur me vëllain e vet. Se kam shkuar shumë mirë me të. Ka qenë shumë i mbyllur. Pinim kafe sa herë shiheshim në rrugë. Më qante shpirti, nuk më hapej, s’kisha çfarë t’i kërkoja. Ky është pengu im. E bënë këtë makabër, ishalla mos pafshin një ditë të hajrit, se nuk ka qenë për të shkuar atje. Të më thonin xhaxh e vrava, por me ma gropos atje. Është shumë e rëndë. Edhe armiku më i madh në botë të jetë, nuk i bëhet, jo më babës. Kurrë në botë. Por unë e them sërish se strumbullari i kësaj pune është e ëma, se nuk mund të bëhen fëmijët grup për të vrarë babain. Mora vesh që vëllai ishte zhdukur, shkova në polici shkova dhe tek familja e tij pyeta. Më thanë nuk dimë gjë. Kjo ishte shumë e dyshimtë, por unë nuk dyshova tek fëmijët dhe tek familja e tij. Në orën 11 të natës së datës 22 erdhi policia dhe e zhvarrosi. Unë vëllain e paskam pasur këtu dhe e kërkoja në vende të tjera.
/ZËRI