
TIRANË- Vendi ynë prej ditësh tashmë është nën pushtetin e temperaturave të larta falë masave ajrore të nxehta me origjinë Afrikane. Masat e nxehta ajrore do të na shoqërojnë deri në fundjavë duke sjellë temperatura, të cilat në orët e mesditës në zonat e ulët pritet të shkojnë deri në 42-43 gradë.
"Ajo që na ka bërë çudi janë temperaturat e larta që janë regjistruar edhe në zonat malore ku qyteti i Peshkopisë ditën e djeshme regjistroi vlerën 40.2 gradë, një vlerë e lartë krahasuar me mesataren mujore për zonat malore. Ne do të vazhdojmë të mbetemi pothuajse në të njëjtat vlera. Netët tropikale do të vazhdojnë të na shoqërojnë pothuajse deri në fundin e kësaj jave me temperature që në orët e natës nuk do të zbresin nën 26-27 gradë Celsius kryesisht në zonat e ulëta dhe në bregdet, ndërsa në vlerat e mesditës temperaturat pritet që të shkojnë 42-43 gradë Celsius, në zonat e ulëta dhe bregdet. Kjo valë të nxehti afrikan presim që të bëjë një tërheqje duke filluar nga dita e diel”,- u shpreh sinoptikanja e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Besa Sherollari.