
TIRANË- Dy ishin personat që qëllluan me armë zjarri mbi 46-vjeçarin Agim Hida. Por asnjë prej tyre ende nuk është identifikuar për t'u arrestuar më pas për atentatin ndaj Hidës në kryqëzimim e Bathores. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja, ndërsa Hida ka marrë 2 plumba në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasditen e djeshme, rreth orës 19.05, Agim Hida ishte ulur në një lokal pranë banesës së tij, kur iu afruan 2 persona mbi një motoçikletë. Njëri nxorri armën dhe e qëlloi në këmbë, lëvizje kjo që ngjan më shumë me mesazh sesa me një tentativë të mirëfilltë për eleminimin e 46-vjeçarit.
Aktualisht, nga të dhënat që "Zëri.ai" ka mbledhur deri më tani, vetë i plagosuri nuk ka precedentë të mëparshëm penalë, por i vëllai i tij, po. Flamur Hida akuzohet për grabitjen dhe më pas vrasjen e biznesmenit italian, Stefano Rossi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998.
Flamur Hida, i njohur me nofkën “Lenci”, vite më parë konsiderohej si një nga personat më të rrezikshëm të kryeqytetit. Ai bashkëpunonte me dy vëllezërit, Fatmir dhe Fiqiri Avdillari, ndërsa për Policinë dyshohej se ishte pikërisht pjesë e bandës së tyre, e ashtuquajtur "Banda e Yzberishtit". Edhe pse nuk e kishin të provuar, Hida ishte skeduar si "vrasës me pagesë". Por megjithatë në kronikat e kohës, Agim Hida, i plagosuri i djeshëm nuk përmendej në asnjë rresht, ndaj mendohet se plumbat ndaj tij janë mesazh për të vëllanë.
Nga shtrati i spitalit, ai tha për uniformat blu se në momentin e plagosjes ishte errësirë dhe se nuk i ka parë autorët. Megjithatë në një moment të dytë do të rimerret në pyetje për të sqaruar të tjera detaje dhe për të dhënë edhe ai versionin se ky i ka dyshimet. Ndërkohë që në Komisariatin nr. 5 janë shoqëruar vetëm dëshmitarë okularë dhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por asnjë e dhënë, nuk ka ndihmuar në hetimet e Policisë. Autorët janë të lirë, pasi i shpëtuan edhe krehjes së zonës që bëri dje Policia fill pas ngjarjes./Zëri.ai