
TIRANË- Një 55-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Shkodrës, pasi dyshohet që të jetë i përfshirë në një grup të trafikut të drogës. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se në pranga ka rënë shtetasi Emiljano Burba, i cili akuzohet se bashkëpunoi me 2 persona të tjerë, për të trafikuar rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa që u sekuestrua në doganën e Malit të Zi. Kamioni ku u gjet sasia e madhe e lëndës narkotike ishte i ngarkuar me dërrasa dhe kishte si destinacion Austrinë, ndërkohë që policia thotë se po vijon hetimet në rast se ka persona të tjerë të implikuar në trafik.
Burime bëjnë me dije se Burba njihet si miku i Aldo Bares, ish-kreu i bandës së Lushnjes, i cili ndodhet pas hekurave i dënuar me burg përjetë. Burba ka qenë i dënuar edhe në Itali për trafikimin e lëndëve narkotike, ndërkohë që i është sekurestruar dhe pasuri me vlerë 3 milionë euro. Atij i janë sekuestruar më herët 2 ndërtesa (resorte), në Sarandë, 1 automjet (kamion) dhe 1 rimorkio.
Ai është arrestuar më 22 prill të vitit 2014 nga autoritetet shqiptare me qëllim ekstradimin e tij në Itali. Pas një procesi gjyqësor atje në lidhje me trafikun e drogës, Burba u dënua me 21 vite burg, por pasi ka fituar lirinë, është bërë pjesë e një tjetër vepre penale.
NJOFTIMI I POLICISE
Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Policinë malazeze, më datë 17.09.2023, u vunë në pranga 2 shtetasit (babë e bir) të cilët e transportonin drogën, me një kamion të ngarkuar me dërrasa dhe me paleta që kishin destinacion Austrinë.
Në vijim të hetimeve të thelluara, të ndjekura në koordinim me Policinë e Malit të Zi dhe në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, ndaluan shtetasin E. B., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 55-vjeçari i ndaluar nga Policia, në Sarandë, ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e arrestuar I. O. dhe K. O. (babë e bir), gjatë tentativës për të trafikuar rreth 300 kg lëndë narkotike cannabis sativa që u sekuestruan më datë 17.09.2023, në doganën e Malit të Zi.
Vijojnë hetimet për të zbardhur këtë veprimtari kriminale, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar të gjithë shtetasit e implikuar në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionittë Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.