
SHKODËR- Sulejman Kapllani edhe pse i afërm i Selami Brahimit nuk nguroi që të nxirrte armën e zjarrit dhe të qëllonte mbi 60-vjeçarin nga Shkodra. Kapllani, i cili ishte arratisur për në Gjermani, rezulton se bashkëshorti i mbesës së gruas së Brahimit, duke zbuluar kështu një detaj që mund të zbardhë shkakun e plagosjes.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se 68-vjeçari tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë, Selami Brahimi, me të cilin kanë pasur konflikte prej vitesh, të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes. Për të kryer atentatin Sulejman Kapllani ishte i përgatitur mirë. Pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga Italia përmes aeroportit të Rinasit, kishte marrë me qera një mjet tip "Skoda Fabia". Kjo makinë është përdorur për atentatin dhe më pas është parkuar në lagjen "Rus".
Brenda mjetit është gjendur edhe arma e zjarrit që është përdorur për vrasjen e 60-vjeçarit, tip kallashnikov. Bashkë me armën kishte edhe 8 gëzhoja, të cilat ishin identike me ato që u gjetën në vendin e ngjarjes. Ishte pikërisht ky detaji që zbardhi të gjithë ngjarjen dhe autorin. Nëpërmjet letrave të makinës u bë lidhja me Sulejman Kapllanin, i cili u kap në Gjermani, por nuk është ekstraduar pasi ka dokumente italiane, e në këtë rast, kërkohet një vendim nga një gjykatë shqiptare.
Si nisi konflikti mes tyre?
Sherri nisi pas vdekjes së vjehrrit të shënjestrës, Musa Kapllani, në janar të këtij viti. Musa Kapllani që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij pasi në vitin 2013, vëllai i vogël Bërhani vrau në Itali ish-bashkëshortin e tij, Orjeta Boshi dhe të dashurin e saj Shpëtim Hana. Autori u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm. Që prej asaj kohe Musa Kapllani, ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit e tij, si Sulejmanin Kapllanin, ashtu edhe Bërhanin.
Ndaj, duke marrë parasysh konfliktin mes tyre, në njoftimin e vdekjes, nuk janë përfshirë emrat e Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, e në debatin familjar është përfshirë edhe i plagosuri. Konflikti mes tyre është agravuar më 5 shkurt, gjë që ka bërë autorin të marrë një armë zjarri dhe të qëllojë mbi familjarin e tij. I vendosur në aktin që do të kryente, ai e ka pritur për një orë, derisa shënjestra të shkonte tek lokali i tij, e menjëherë sapo la mbesën, qëlloi mbi të. I bindur se e kishte vrarë, 68-vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit dhe nga aeroporti i Podgoricës ka shkuar në Gjermani.
Pas plagosjes, Brahimi nuk ka pranuar që të tregojë se me kë kishte konflikte, duke pretenduar se nuk e kishte parë autorin, ndërsa pritet edhe dëshmia e Kapllanit. Ky i fundit njihet si person me precedent dhe rrezikshmëri në Itali ku jeton ndërsa i plagosur Selami Brahimi ka qenë i dënuar në Zvicër për lëndë narkotike për disa vite kohë më parë./ZËRI