Aktualitet

I kërkuar në Shqipëri për vrasje, 20 vite burg për narko-trafikantin nga Elbasani (EMRI)

I njohur ndryshe me nofkën “Jimmy”, 54-vjeçari shqiptar me banim në Kolumbi, u dënua me 240 muaj burg pasi u deklarua fajtor për rolin e tij në trafikun e kokainës përmes avionëve.

f.t
I kërkuar në Shqipëri për vrasje, 20 vite burg për
AGIM ÇERMA

SHBA- Një gjykatë amerikane ka dënuar me 20 vite burg një 54-vjeçar me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Agim Çerma, një narkotrafikant nga Elbasani, i cili u arrestua në Kolumbi në korrik të vitit 2021. I njohur ndryshe me nofkën “Jimmy”, 54-vjeçari shqiptar me banim në Kolumbi, u dënua me 240 muaj burg pasi u deklarua fajtor për rolin e tij në trafikun e kokainës përmes avionëve të regjistruar në SHBA, shkruajnë mediat e huaja.

“Trafikimi ndërkombëtar i drogave të paligjshme përfaqëson një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe ky hetim dhe ndjekje penale çmontojnë një operacion që planifikoi të trafikonte qindra kilogramë kokainë jashtë Kolumbisë”, tha prokurori amerikan Steinberg në gjykatë.

Hetimi përcaktoi se Cerma dhe të tjerët po planifikonin dhe bashkërendonin prodhimin dhe transportin e qindra kilogramëve kokainë nga Cali, Kolumbi, në Evropë nëpërmjet një avioni të regjistruar në SHBA, duke shpresuar se regjistrimi i SHBA-së do të shmangte kontrollin shtesë të dhënë ndaj avionëve me flamur kolumbian.

Skema përfshinte pagesën e punonjësve të korruptuar të aeroportit, prodhimin e më shumë se 300 kilogramë kokainë nga një laborator në Kolumbi dhe pagesat për organizimin dhe ekzekutimin e skemës në rreth 300,000 dollarë në monedhën amerikane. Hetimi zbuloi se Cerma ishte drejtuesi i organizatës së trafikut të drogës dhe komplotet me të bashkëpandehurit për të eksportuar kokainën duke përdorur një avion të regjistruar në SHBA.

Agim Çerma rezulton i dënuar në Shqipëri me burgim të përjetshëm për vrasje me dashje. Ai është dënuar nga Gjykata e Elbasanit në vitin 1998, pasi ka qëlluar për vdekje me armë zjarri shtetasin Gëzim Liçi, ka plagosur disa efektivë policie dhe ka dëmtuar makinat e tyre.

Ngjarja ka ndodhur një vit para se ai të dënohej, në 1997. Bashkë me Agim Çermën është arrestuar dhe vëllai i tij, Gazmend Çerma. Për këtë të fundit Gjykata dha vendimin për burgim 11 vite, kurse për “Jimmy-n” e dënoi përjetë. Që njëri nga vëllezërit t’i shpëtonte burgut, Gazmend Çerma ankimoi në Gjykatën e Apelit vendimin e shkallës së parë, duke thënë se nuk e dinte që i vëllai i tij kishte armë me vete dhe do të vriste Gëzim Liçin.

Në vitin 2012, me firmë të ish-gjyqtares Parashqevi Ademi, bosi shqiptar i kokainës fitoi lirinë. Pas këtij viti, “Jimmy” u largua drejt vendeve të Amerikës Latine ku dyshohet se u përfshi në trafikun ndërkombëtar të drogës. Vitet e fundit Policia shqiptare me anë të letërporosive u kanë kërkuar informacion autoriteteve të huaja për Çermën, pasi edhe në vendin tonë ai dyshohej si i përfshirë në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës./ZËRI

Poll

MOS HUMB