
TIRANË- Zëvendës-shefi i Komisariatit nr.1 në Tiranë, Rustem Dervishi dhe 2 vartësit e tij, Ylli Çako dhe Ergys Brahimaj janë pezulluar nga detyra, pasi "mbyllën sytë" për dhunimin e të miturës në ambientet e kopështit “Stinet”. Pasditen e sotme, kryepolici Muhamet Rrumbullaku lajmëroi pezullimin nga detyra të tre punonjësve që anashkaluan incidentin që ka shkaktuar një reagim të fortë publik, duke mos kryer hetimin e plotë për të zbuluar të vërtetën se çfarë ka ndodhur. Sipas Policisë është konstatuar se asnjë prej tyre nuk kishte bërë kqyrjen e pamjeve filmike brenda ambienteve të kopshtit.
"Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit. Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit, në emisionin investigativ “STOP”, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023."
Ndërsa edukatoren, Majlinda Dehima, Policia njoftoi se ka nisur një procedim në gjendje të lirë.
Njoftimi i policisë:
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, sapo është njohur nëpërmjet pamjeve filmike të transmetuara mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “STOP”, për ngjarjen e ndodhur në një kopsht privat, rast për të cilin familjarët e fëmijës së dëmtuar akuzojnë strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, se nuk kanë kryer veprimet e duhura ligjore, ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit administrativ, me qëllim verifikimin e procedurave standarde të kryera nga punonjësit e Policisë. Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit. Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit, në emisionin investigativ “STOP”, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023.
Njëkohësisht ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M. D., me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”. Në përfundim të verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209 i Rregullores së Policisë së Shtetit “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë” dhe u bë pezullimi nga detyra, për punonjësit e Policisë: omisar Rustem Dervishi, me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë; Nënkomisar Ylli Çako, me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1; Nënkomisar Ergys Brahimaj, me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon stafin e emisionit investigativ “STOP” për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë. Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën, duke iu garantuar reagim të ashpër ndaj tyre, sepse për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm procesi i vetëpastrimit nga radhët e Policisë, i punonjësve që abuzojnë me detyrën dhe me ligjin.
Dhunimi i të miturës, referuar dhe pamjeve filmike është kryer rreth orës 10 të paradites në datën 1 Nëntor, ndërkohë që prindërit janë njoftuar vetëm në orën 15:00 pasi këmba e vajzës kishte pësuar shumë enjtje.Rasti u denoncua publikisht në emisionin “STOP”, ku përmes pamjeve filmike dhe fotografive u qartësua dhuna psikologjike dhe fizike ndaj fëmijës. Dhuna rezulton se është kryer nga edukatorja Majlinda Dehima, për të cilën Policia njoftoi se ka nisur një procedim në gjendje të lirë. Ndërkohë Ministria e Arsimit në reagimin e saj bëri me dije se kopshti ishte pa licencë, por ndaj drejtoreshës së këtij kopshti nuk ka ende një masë./Zëri.ai