
TIRANË- Kopshti “Stinët” në Tiranë ka reaguar pas denoncimit se edukatorja Majlinda Dehima, ka dhunuar një vajzë 3-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në spital me këmbë të thyer. Kopshti pretendon se në pamjet e publikuara edukatorja ka ruajtur qetësinë dhe ka gjuajtur me vizore në karrige e tavolinë dhe nuk ka ushtruar dhunë te e mitura. Po ashtu në reagim thuhet se është hedhur baltë mbi punën dhe përkushtimin e tyre.
"Duke ju kërkuar ndjesë për pamjet e transformuara nga emisioni “stop” duke hedhur baltë mbi punën dhe përkushtimin tonë, e vërteta është kjo si në video. Edukatorja për të mbajtur qetësinë dhe fokusin ka gjuajtur në karrige dhe tavolinë, jo tek vajza e cila siç duket edhe në këtë video, është e qetë duke punuar. Nëse doni të bëni një denoncim bëheni me pamje të sakta,"-thuhet në reagim.
Dhunimi i të miturës, referuar dhe pamjeve filmike është kryer rreth orës 10 të paradites në datën 1 Nëntor, ndërkohë që prindërit janë njoftuar vetëm në orën 15:00 pasi këmba e vajzës kishte pësuar shumë enjtje.Rasti u denoncua publikisht në emisionin “STOP”, ku përmes pamjeve filmike dhe fotografive u qartësua dhuna psikologjike dhe fizike ndaj fëmijës. Dhuna rezulton se është kryer nga edukatorja Majlinda Dehima, për të cilën Policia njoftoi se ka nisur një procedim në gjendje të lirë. Ndërkohë Ministria e Arsimit në reagimin e saj bëri me dije se kopshti ishte pa licencë, por ndaj drejtoreshës së këtij kopshti nuk ka ende një masë./Zëri.ai