
TIRANË- Dje, Krimi Ekonomik ushtroi kontrolle në një nga argjendaritë më të promovuar nga VIP-at shqiptarë në Tiranë. Bëhet fjalë për “Izmiri Shop” që ndodhet në rrugën “Myslym Shyri” dhe me disa pika të tjera nëpër Qendra Tregtare. Hetimet e Krimit Ekonomik zbuluan se të gjitha bizhuteritë që shiten në dyqan, hyjnë kontrabandë në Shqipëri. Kështu u shpall në kërkim pronari i biznesit Izmir Bengaj, 28 vjeç dhe nën hetim është e ëma, Donika Bengaj, 50 vjeç.
“Izmiri Shop” është mjaft i njohur nga qytetarët dhe jo vetëm për produktet që ofron, por edhe për shkak të promovimit nga personazhe të njohur si Hatixhe Brika dhe bashkëshorti i saj Jashar Stojku, Sara Gjordeni, Fation Kuqari dhe Niko Komani. Madje në Instagram “Izmiri Shop” numëron mbi 98 mijë ndjekës dhe promovon vazhdimisht bizhuteritë që shet.
Në faqen e Instagramit të “Izmiri Shop” është postuar një video së fundmi gjatë ditëlindjes së Hatixhe Brika, ku ka marrë si dhuratë bizhuteri me vlerë 7 mijë euro. Po ashtu, në një video të mëparshme, ajo udhëton atje së bashku me bashkëshortin me helikopter për të shkuar në dyqan. Goxha "luks" për një dyqan që shet bizhuteri 'të lara me argjend'.
Gjithashtu edhe në finalen e “Big Brother VIP 3”, “Izmiri Shop” dhuroi bizhuteri për 4 finalistët nga finalistët e mbetur në garë.
Por, pavarësisht sekuestrimit të bizhuterive nga Krimi Ekonomik dhe hetimeve që ende po vijojnë, “Izmiri Shop” vazhdon të promovojë bizhuteritë e tyre në Instagram duke i reklamuar ato në “Story”.
“Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shisnin bizhuteri të ndryshme, të dyshuara si kontrabandë, një shtetas po ndiqet penalisht dhe po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në drejtim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, identifikimin. dhe shuarja e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar policor “Argjendi”.
Në kuadër të këtij operacioni, shtetasi DB, 50 vjeç, u procedua penalisht për veprat penale “Fshehje e të ardhurave”, “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Tregtim dhe transport mallrash që janë kontrabandë” parashikuar nga nenet 180. 174 dhe 178 të Kodit Penal. Po punohet edhe për gjetjen e djalit të saj, shtetasit IB, 28 vjeç.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në një subjekt në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe në një tjetër në një qendër tregtare në rrugën Tiranë-Durrës. Gjatë kontrolleve në këto subjekte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale aksesorë argjendi për të cilët nuk disponoheshin kuponat doganore dhe tatimore dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre fshiheshin nga dy autorët e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan aksesorë argjendi me peshë 9830 gram, të dyshuar si kontrabandë”, njofton policia. /ZËRI