
ELBASAN- Me vendim të Gjykatës së Elbasanit, policia e këtij qyteti ka ekzekutuar masën për sekuestrimin e pasurive me rreth 1 milion euro, të dyshuara të përfituara nga aktiviteti kriminal i një 34-vjeçari të dënuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Bëhet fjalë për shtetasin Eris Skënderi, 34 vjeç, banues në Cërrik, i dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Pasuritë e sekuestruara janë njuë objekt banimi, një objekt shërbimi, si dhe dy automjete dhe një motomjet.
Policia e Elbasanit njofton zyrtarisht se “Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aseti”, si rezultat i të cilit është ekzekutuar vendimi i datës 24.09.2023, i i Gjykatës së Elbasanit, e cila ka vendosur sekuestrimin e 5 pasurive të shtetasit:
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, është bërë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 1 milion euro, konkretisht:
-një objekt banimi me sipërfaqe 62 m2;
-një objekt shërbimi me sipërfaqe 73 m2 , në Cërrik;
-2 automjete dhe 1 motomjet.
Vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”.
Operacioni që çoi në pranga Eris Skënderin
I riu, pronar i një marketi në Cërrik është arrestuar në Korrik të vitit 2020.
Policia shkoi në marketin e Eris Skënderit dhe gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.6 kg lëndë narkotike kanabis sativa, e fshehur në disa kavanozë.
Së bashku me pronarin Skënderin u arrestua asokohe punëtori Roland Dulja, i cili ashtu si pronari akuzohet se merret me shitjen e lëndëve narkotike. Për këtë Gjykata e dënoi Skënderin me 6 vite burg, dhe tashmë ai do të përballet dhe me sekuestrimin e pasurisë./Zëri.ai