
KOSOVË- Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë në Gjermani, Cem Ozdemir, ka vlerësuar reagimin e institucioneve të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Zveçan ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij. Ozdemir ka theksuar se Pavarësia e Kosovës duhet të respektohet dhe se për gjendjen e komunitet serb duhet të diskutohet vetëm brenda kufijve të Kosovës.
Qëndrimin e Berlinit zyrtar ia ka bërë të ditur dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me të në selinë e qeverisë.
“Së pari më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për humbjen e jetës së zyrtarit policor gjatë këtij akti terrorist nga këta kriminelë që vranë njërin nga policët tuaj dhe plagosën të dytin. Dhe më lejoni gjithashtu të shpreh se kam vërtet respekt të thellë për reagimin shumë të arsyeshëm që qeveria juaj dhe policia juaj ka treguar në këtë akt provokimi. E di që kjo nuk është një situatë e lehtë, ndaj vizita ime këtu është përtej bashkëpunimit tonë të shkëlqyer dypalësh, por edhe një gjest solidariteti”, ka thënë Ozdemir.
Sipas tij rruga përpara duhet të jetë drejt paqes. Ozdemir u shpreh se Pavarësia e Kosovës tashmë është fakt dhe duhet të respektohet.
“Është në duart tona të sigurohemi që historia të mos përsëritet. Prandaj, më lejoni të shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që rruga përpara të shkojë drejt paqes, rruga përpara të ecë drejt respektimit të kufijve, që pavarësia e Kosovës të respektohet dhe nëse baza është që pavarësia e Kosovës të respektohet, gjithçka mund të diskutohet. Sigurisht që është e nevojshme të flitet për gjendjen e minoritetit serb në veri, por brenda kufijve të Kosovës, kjo është shumë e rëndësishme, ky është qëndrimi ynë”, ka thënë ai.
Tensionet mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit janë shtuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku 30 persona të armatosur hapën zjarr mbi një patrullë të Policisë së Kosovës dhe lanë të vrarë rreshterin e PK, Afrim Bunjakun. Pas kësaj, Forcat Speciale të Kosovës rrethuan zonën dhe vranë tre agresorët, të tjerët u strehuan në manastirin e Banjskës. 6 agresorë u arrestuan. Si organizator të sulmit qeveria e Kosovës akuzon Beogradin, konkretisht nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Ky i fundit sipas Policisë u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit. Radoiçiç e ka pranuar që ka qenë në krye të sulmit por duke thënë se qeveria serbe dhe institucionet nuk kishin dijeni për veprimet e tij. Ai u arrestua në Beograd dhe u la i lirë./Zëri.ai