SERBI – Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk është dakord me vendimin e gjykatës serbe, që Milan Radoiçiç të jetë i lirë dhe të dalë nga paraburgimi.
Kështu, Prokuroria e Serbisë do ta apelojë vendimin e gjykatës , e cila më herët gjatë ditës së sotme, liroi Radoiçiçin, me kusht që ai të mos shkojë në Kosovë.
Radoiçiç akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në grupin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u sulmua Policia e Kosovës.
Ai pranoi edhe vetë se ka qenë pjesëmarrës në grupin e serbëve të armatosur, ndërsa pamje të tij nga manastiri ku fshihej grupi, publikoi edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla.
Prishtina ka kërkuar që me anë të ndërkombëtarëve, të bëhet ekstradimi i Radoiçiç nga Serbia për në Kosovë.
Çfarë ndodhi në veriun e Kosovës më datë 24 shtator?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat. Autorësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, i cili gjithashtu hoqi dorë nga posti si nënkryetar i Listës Serbe. /Zëri.ai/