
TIRANË- Siç u parashikua edhe nga Instituti i Gjeoshkencave, sot vendi është pushtuar nga stuhia "Ciaran". Gjatë pasdites së sotme dhe ditën e nesërme do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin. Por më të dëmtuarat do të jenë qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në të gjthë këto qarqe mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Ndërsa në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve. Megjithatë sa i përket lumenjve të mëdhenj, ata nuk përbejnë rrezik për përmbytje.
Temperaturat do të variojnë në bregdet: 14 / 18 °C; në vendet e ulëta: 10 / 18 °C; në vendet malore: 6 / 14 °C. Ndërsa era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, për momente deri shumë e fortë, në bregdet dhe në zonat malore. Nesër, situata do të përmirësohet pasi era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.
HARTA LIVE:
Stuhia ‘Ciaran’, e cila ka prekur disa vende të Europës, ka përfshirë ditën e sotme edhe vendin tonë duke krijuar vështirësi të madhe në qarkullimin e mjeteve. Rreshje të pazakonta shiu përfshinë kryeqytetin dhe kanë përmbytur disa rrugë në Tiranë. Situata është problematike dhe në akset rrugore ku autostrada Tiranë-Durrës është bllokuar nga trafiku, ndërsa rruga e Arbrit ishte thuajse e pakalueshme për dy orë për shkak të vërshimit të ujit dhe dherave. Në qytetin e Vlorës dhe Durrësit kushtet e përkeqësuara atmosferike sollën edhe pezullimin e lundrimit të mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit. Kushtet meterologjike dhe lagështira e madhe në rrugë është bërë dhe shkak i aksidenteve në vend ku dy persona kanë humbur jetën. Kushtet e motit sollën probleme edhe me energjinë elektrike në disa qytete./Zëri.ai