
PRISHTINË- Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë me dije se ka vendosur në pranga disa prej "drejtuesëve" të grupit famëkeq "Albkings", një kanal komunikimi të ngritur në aplikacionin "Telegram". Në këtë grup shpërndaheshin foto dhe video të personave të ndryshëm, me qëllim shqetësimin dhe ngacmimin seksual. Në pranga kanë përfunduar 7 persona, mes tyre dhe një vajzë, e cila ishte dhe administratore e grupit. Kjo e fundit, në bashkëpunim me Edin Nevzati, administronin grupin ‘Albkings’.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Zejnullah Gashi në një konferencë për media, tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.
“Ju njoftoj se prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmonin, zbulonin dhe të arrestonin të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për persona të tjerë,"- tha ai.
Të njëjtin fenomen ka denoncuar edhe ZËRI pak muaj më parë, por deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur asnjë person të vendosur në pranga./ZËRI