
KOSOVË- Mbrëmjen e kaluar, Kosova u trondit nga dy vrasje që ndodhën brenda pak orësh. Liridona Murseli, bashkëshortja e ish-këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli, Naim Murseli, mbeti e vrarë pas të shtënave me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët pasi u morën sendet me vlerë, dhe më pas lanë të vdekur 33-vjeçaren. Kjo ngjarje tronditi gjithë familjen Murseli dhe hetimet tashmë kanë nisur për të zbardhur rrethanat dhe motivet e rastit.
Sinjali ka zbardhur rrëfimin e Naim Murselit, para zyrtarëve policorë për incidentin që iu ndodhi, ku mbeti e vdekur bashkëshortja e tij.
Sipas informacioneve të para, Murseli ka deklaruar se ka dëgjuar vetëm krismat, por nuk e ka parë krimin me sytë e tij, për shkak se kishte larguar nga makina fëmijët e mitur. Ai ka treguar se hajdutët iu kanë marrë sendet me vlerë, përfshirë paratë që kishin me vete dhe aparatët celularë.
Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga makina, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.
Këto janë vetëm disa nga detajet që Murseli i ka rrëfyer para Policisë dhe sipas informacioneve që janë mbledhur deri më tani pistat pritet të zgjerohen dhe nuk do të hetohet vetëm versioni i dhënë prej tij.
Në bazë të detaje të reja që janë zbuluar, dyshohet se kanë qenë dy persona, njëri prej të cilëve i armatosur, që u kanë zënë pritë me makinë familjes Murseli.
Dy grabitësit, sipas informacioneve të para kanë qenë me një veturë me targa të huaja, të tipit Golf 5, por Policia është në kërkim edhe të një mjeti BMW me targa të huaja.
/ZËRI