
FIRENCE- Një grabitje prej 300 mijë eurosh ka ndodhur në mes të ditës, në qendër të Firences. Një bandë prej katër personash, të hënën e kaluar, kreu një grabitje të zhurmshme në argjendarinë “Gold & Florence”. Sipas mediave italiane, Policia e ka emrin e një prej anëtarëve të kësaj bande, i cili është me siguri organizatori. Por identitetin nuk e kanë bërë publik për mediat përveç faktit se bëhet fjalë për një shtetas shqiptar.
Si ndodhi grabitja?
Rreth orës 10.30 të mëngjesit, tre persona me maska u futën në argjendari. Një prej tyre e kaloi banakun dhe bllokoi punonjësin e dyqanit, i vili për fat të mirë nuk pësoi asnjë lëndim. Dy të tjerët morën çfarë gjetën në dyqan me vlerë rreth 300 mijë euro. Më pas, grabitësit u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Por gjatë investigimit, hetuesit zbuluan edhe një person të katërt, që qëndronte ne distancë nga dyqani dhe që mori çantat me mallin e vjedhur, duke ndjekur një tjetër itinerar, për të humbur gjurmët.
Për këtë të fundit, prokurori Antonino Nastasi, lëshoi një mandat arresti dhe urdhër kontrolli, gjatë të cilit në banesë iu gjetën mbi 40 mijë euro para "cash", të cilat sipas hetuesve mund të jenë ekuivalenti i një pjese të mallit të vjedhur. Por hetimet vazhdojnë edhe për kapjen e 3 bashkëpunëtorëve të tij. Në argjendari, shqiptarët duket se kanë lënë mjaftueshëm gjurmë që mund të sjellin edhe identifikimin e tyre./ZËRI