
SHKODËR- Ormir Gucia pasi goditi me sende të forta efektivin e policisë Admir Okaj, është vetëdorëzuar në Polici. Admir Okaj, 49-vjeç dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me fqinjin e tij, 47-vjeçarin Ormir Gucia. Në njoftimin e policisë thuhet se gjatë momentit të konfliktit, policit i është shkrepur arma në mënyrë të pavullnetshme, fatmirësisht pa persona të lënduar.
Efektivi është dërguar për mjekim në spital ndërsa ka dhënë edhe dëshminë e tij lidhur me ngjarjen. Okaj ka qenë pjesë e FNSH-së ndërsa së fundmi shërben në Qarkun e Elbasanit. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me informacionin e dhënë më parë, sipas të cilit shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, (punonjës policie), ju informojmë se pas kontrollit dhe presionit të Policisë, 47-vjeçari është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Shkodër.
/ZËRI