
TIRANË- Autoriteti i Aviacionit Civil ka pranuar në një përgjigje për ZËRI-n se Wizz Air është operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve, por edhe me numrin më të madh të anulimeve të kryera. Nisur nga ankesat e referuara në redaksi, ZËRI kërkoi përgjigje zyrtare, bazuar në ligjin nr.119/2014 për të drejtën e informimit nga Autoriteti i Aviacionit Civil, lidhur me fluturimet e anuluara dhe mënyrën se si asistohen apo kompensohen pasagjerët e afektuar nga këto anulime.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, shkaku kryesor i vonesave ndodh për arsye të vonesave nga një fluturim i mëparshëm, efekti domino. Ky efekt, sipas AAC ka dhënë pasoja në numrin më të lartë të vonesave tek ky operator, e vlerësuar me 7928 fluturime të kryera nga kjo kompani për vitin 2023, 34 prej të cilave janë anuluar.
“Nga të dhënat e administruara nga Autoriteti i Aviacionit Civil per vitin 2023, operatori ajror me fluksin më të madh të fluturimeve nga/drejt Shqipërisë është Wizz Air, i cili zë rreth 59 % të tregut. Duke qene se, operon kryesisht në tregun e bashkimit evropian, në të cilin Eurocontrol ka konstatuar se shkaku kryesor i vonesave ndodh për arsye të vonesave nga një fluturim i mëparshëm (efekti domino- një situatë në të cilën një ngjarje shkakton një ngjarje tjetër të ngjashme, e cila nga ana tjetër shkakton një ngjarje të mëtejshme), ky efekt ka dhënë pasoja në numrin më të lartë të vonesave tek ky operator, e vlerësuar kjo natyrisht me 7928 fluturime të kryera nga kjo kompani për vitin 2023,”- thuhet në përgjigje.
25 anulime, sipas Autoritetit të Aviacionit Civil kanë ndodhur për arsye të jashtëzakonshme (greva, kohë e keqe, difekte teknike, renie zjarri në aeroporte) dhe për këto arsye, pasagjerët nuk kanë marrë kompensim pasi, baza rregullatore për të drejtat e pasagjerëve nuk e parashikon për këto situata.
“Anullimet e kryera nga Wizz Air EU kanë qënë në total 34 për vitin 2023, nga të cilat 25 kanë ndodhur për arsye të jashtëzakonshme (greva, kohë e keqe, difekte teknike, renie zjarri në aeroporte etj). Duke qenë se, shumica e anullimeve janë kryer për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme, baza rregullatore për të drejtat e pasagjerëve nuk parashikon kompensim për këto situate,”- thuhet më tej.
Pranë AAC-së, për vitin 2023, janë referuar 208 ankesa nga 7,279,693 pasagjerë që kanë udhëtuar drejt apo nga Shqipëria dhe deri më tani janë trajtuar e kompensuar 139 prej tyre. 69 janë në process, 30 prej të cilave, janë në fazën e kryerjes së transaksionit financiar nga kompanitë ajrore.
Të pyetur nëse në raste vonesazh apo anulimesh, kompanitë në fjalë kanë ndjekur të gjitha pikat që parashikon ligji kundrejt pasagjerëve, Autoriteti i Aviacionit Civil pretendon se monitoron në mnëyrë konsistente kompanitë dhe në rast se pasagjerët e operatorët ajrorë kanë mungesë dakortësie mbi terma të kontratës (biletës) së lidhur ndërmjet tyre, atëherë Autoritetit të Aviacionit Civil informon pasagjerin për mundësinë e ndjekjes së rastit të tij në instancat ligjore.
“Pranë AAC-së janë referuar 208 ankesa nga 7,279,693 pasagjerë që kanë udhëtuar drejt/nga Shqipëria përgjatë vitit 2023. Për të gjitha këto ankesa është dhënë asistencë dhe aktualisht janë trajtuar/ kompensuar 139 dhe 69 janë në proces. Nga ankesat që janë në proces, 30 prej tyre janë në fazën e kryerjes së transaksionit financiar nga kompanitë ajrore.
Autoriteti i Aviacionit Civil monitoron në mnëyrë konsistente kompanitë ajrore për përmbushjen e detyrimeve ligjore të operatorëve ajrorë në rast të vonesave, anullimeve etj sipas përcaktimeve të Urdhrit nr.1, datë 26.02.2023 të sipërcituar. Nëpërmjet këtyre proceseve monitoruese është konstatuar se këta operatorë i ofrojnë pasagjerëve të drejtat e përkujdesjes si ushqim, pije, akomodim në hotel dhe kur përbën rast edhe kompensim. Për sa i përket kësaj të fundit, Autoriteti i Aviacionit Civil kur vlerëson se pasagjeri duhet të kompensohet nga operatori ajror, komunikon dhe vlerëson rastin në bashkëpunim me këtë operator deri në realizim të kompensimit. Pavarësisht ndërhyrjes me mbështetje nga ana e AAC-së, kur pasagjerët dhe operatorët ajrorë kanë mungesë dakortësie mbi terma të kontratës (biletës) së lidhur ndërmjet tyre, atëherë Autoritetit të Aviacionit Civil informon pasagjerin për mundësinë e ndjekjes së rastit të tij në instancat ligjore,”- përfundon përgjigjen zyrtare AAC.
Më 12 mars, kompania ‘Wizz Air’ u ‘shpall’ nga media britanike “Which?” si kompania më e keqe në Mbretërinë e Bashkuar, bazuar në vlerësimin e dhënë nga udhëtarët. Qindra pasagjerë në vendin tonë dhe mijëra në të gjithë botën, ankohen çdo ditë për anullime dhe vonesa të gjata, për qëndrime për orë të tëra në aeroport, për moskompensim, vjedhje apo ndryshimeve të destinacioneve. Kjo pasohet me një kosto të madhe, si prishje të planeve të qytetarëve dhe para të çuara dëm duke sjellë humbje për xhepat e pasagjerëve. ZËRI ka nisur gjithashtu një kërkesë për informacion kundrejt WIZZ Air, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë një përgjigje.
-
-
Wizz Air vonon udhëtimin: Po presim edhe disa pasagjerë të tjerë!
28 Nëntor, 13:11