
SHKODËR- Një grup kriminal i përbërë nga 5 persona, ka rënë në rrjetën e policisë në Vaun e Dejë.
Në pranga kanë rënë 3 prej anëtarëve të grupit kriminal, ndërsa 2 të tjerë janë në kërkim.
Janë arrestuar Rasim Gorrilla, 24 vjeç dhe Gerisjan Duli, 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi Fatjon Jubani 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Sipas policisë ky grup prej 5 personash dyshohet se ka kryer këto ngjarje kriminale.
-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;
-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.