TIRANË- Grupi i hakerave iranianë kanë publikuar sërish të dhëna personale të mijëra shqiptarëve. Këtë herë, “Homeland Justice”, në grupin në Telegram kanë shpërndarë një file me të dhënat e 65 mijë e 614 shqiptarëve. Bëhet fjalë për të dhëna si emër mbiemër, numrin e kartës së identiteti, numër celulari dhe adresa e banimit. Krah dosjes së publikuar, hakerat iranianë kanë dhënë dhe një mesazh.
“Nëse dikush thotë: Unë e adhuroj Zotin” dhe urren vëllanë e tij, ai është hipokrit; sepse ai që vret vëllanë e tij që e ka parë, nuk mund ta dojë Perëndinë që nuk e ka parë,”- shkruhet në mesazhin e publikuar në Telegram.

ZËRI zotëron të gjithë dosjen e publikuar, por për arsye privatësie të të dhënave të shqiptarëve, nuk do të publikojë asnjë të dhënë të dalë.
Kjo nuk është hera e parë që hakerat iranianë publikojnë të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Grupi Homeland Justice kanë hakeruar faqen e Kuvendit të Shqipërisë, kompaninë One dhe Air Albanian. Ky grupim ka nxjerrë më herët edhe të dhëna të tjera sensitive, si patentat, targat, pagat, të dhënat për kreun e SHISH, emailet e ish-drejtorit të Policisë Gledis Nano etj.Prej dy vitesh, grupi në fjalë pretendon se do të shkatërrojë deputetët e korruptuar, teksa thotë se do goditen të gjithë ata që bashkëpunojnë me anëtarët e MEK-ut.