Aktualitet

PËRGJIMET/ “Po e bëj të madhe shumë, do ecësh në jetë”, zbardhen bisedat mes Mërtirit e Ahmetajt (Pikat e takimeve)

Vendet ku zakonisht takoheshin Ahmetaj dhe Mërtiri ishin tek “Sky” në ish-Bllok dhe Restorant Dreri në periferi.

F.m
PËRGJIMET/ “Po e bëj të madhe shumë, do ecësh
SKY, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Arben Ahmetaj dhe Dreri

TIRANË- ZËRI ka siguruar dosjen e plotë që zbërthen dhe bisedat telefonike e mesazhet mes ish-zëvendëskryeministrit në arrati, Arben Ahmetaj dhe biznesmenëve të shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve, Mirel Mërtiri alias (Klodian Mërtiri) e Klodian Zoto. Bisedat e zbardhura i përkasin vitit 2012 dhe kanë dalë nga një celular i markës "Blackberry", i gjetur në shtëpinë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt, Albina Mançka. Në celular, siç shkruhet në dosje, vihet re se në bisedat e tyre përdoren fjalët si: "O la" (nënkupton o vëlla); "Fratelo", "Tigre", "i madh". Vendet ku zakonisht takoheshin Ahmetaj dhe Mërtiri ishin tek “Sky” në ish-Bllok dhe Restorant Dreri në periferi. Në një pjesë të bisedës, Ahmetaj e komplimenton Klodian Mërtirin dhe e konsideron ‘njeri të madh’, që ‘do të ecë në jetë’.

Pjesë nga dosja:

23.1.1.3. Në lidhje me komunikimet telefonike që nga ana e personit nën hetim Arben Ahmetaj janë pretenduar ose inekzistente ose të rralla, në fakt, nga kqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit Nr. 46 datë 17.03.2023, për ekspertimin e aparatit telefonik të markës "Blackberry", , i cili është gjetur gjatë kontrollit të banesës së personit nën hetim Albina Maçka, janë evidentuar të dhëna, të cilat tregojnë njohjen dhe marrëdhënien e ngushtë që ekziston ndërmjet personave nën hetim Klodian (Mirel) Mërtiri dhe Arben Ahmetaj.

Ky aparat telefonik, vërtetohet se ka qenë në përdorim nga personi nën hetim nën hetim Arben Ahmetaj. Në rubrikën "Call log" ka rezultuar se ndërmjet personit nën hetim Arben Ahmetaj dhe Klod Mertirit, ka patur 138 komunikime telefonike, të cilat janë zhvilluar në periudhën kohore 21.07.2012 10.10.2012. Pra në një periudhë prej vetëm rreth tre muajsh, numri 138 i komunikimeve, tregon më së miri afrimitetin e këtyre shtetasve. Por ky afrimitet evidentohet edhe nga përmbajtja e këtyre komunikimeve.  Nga komunikimet ndërmjet tyre, ndër të tjera rezulton se, bashkëbiseduesit kanë një raport tepër miqësor, pasi në bisedat e tyre përdoren fjalët si: "O la" (nënkupton o vëlla); "Fratelo", "Tigre", "i madh" etj. Disa prej mesazheve të shkëmbyera janë si më poshtë vijon:

Klod Mërtiri: Tek dreri jam un o la. Vonohesh???

Arben Ahmetaj: Per pak. Jam akoma ne mbledhje grupi....

Klod Mertiri: Fratelo porosin ta kreva

Klod Mertiri: Tek sky jam... OK. Me thuaj kur e ke per mbare.

Klod Mertiri: Ok. Po vendose gje me thuaj deri nga ora 1 te pakten se neser ne mengjes une nisem....

Klod Mërtiri: Kam nja 2 ore qe jam kthyer ne Tirane Ti si po kalon andej

Arben Ahmetaj: Ou qeke kthyer tigre. Mir kalove?

Klod Mërtiri: Rruge te mbare o la. Sot kishte zbritur gjithe udheheqja e PS ne Korce

Arben Ahmetaj: Isha i ftuar, po jam jashte shqiperise.

Klod Mërtiri: Fratelo, sot vajti shume mire. Te lutem kur te mundesh me nis nje zile.

Klod Mërtiri: Miremengjes. Ke kohe per kafe

Klod Mërtiri: Fratelo si e ke kohen te takohemi...

Klod Mërtiri: Fratelo ke kohe te takohemi sot??

Klod Mërtiri: Para se te nisesh te lutem me tel

Arben Ahmetaj: Ok...Po nisem

Klod Mërtiri: Ok. Po te pres

Klod Mërtiri: Fratelo kemi ndonje gje??

Klod Mertiri: Fratelo te lutem gjej pak kohe te takohemi sot se neser ne mengjes nisem ne greqi.

Arben Ahmetaj: Po e bej te madhe shume

Klodian Mertiri komunikon me KLodian Zoton: Fola me Benin dhe me cmora vesh do ta bejne te madhe

Klod Mërtiri: Fratelo si e ke kohen te takohemi neser??

Klod Mërtiri: Miremengjes. Do e pijme ate kafen??

Arben Ahmetaj: Pas komisionit nese esht ok fratelo?

Klod Mërtiri: Ti e vendos. Po te pres

Arben Ahmetaj: Rrofsh

Arben Ahmetaj: Hajde, ne 11 e gjys tek sky

Klod Mërtiri: Thank you.

Klod Mërtiri: Ok...Ku do jesh per nje ore?...C’behet mo,

Arben Ahmetaj: Ne zyre. Per 10 min mbaroj...Je njeri i madh klod, do ecesh ne jete.

Klod Mërtiri: Thank you Sir. Takohemi neser a si do e leme.

Arben Ahmetaj: Si ece me kta?

Klod Mërtiri: Mire...

Arben Ahmetaj: Ca ke fratelo, ca ka ngec?

SPAK e ka marrë të pandehur ish zv/kryeministrin Ahmetaj për disa akuza si korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Në SPAK gjithashtu është thirrur si dëshmitare edhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka. Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët nuk janë vënë në prangat e policisë, lidhur me fraksionin e ndarë të inceneratorit të Elbasanit. Sipas prokurorisë së posaçme, Ahmetaj ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme si dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve. Ahmetaj aktualisht ndodhet në Zvicër, ku i është refuzuar kërkesa për azil politik, ndërsa vijon akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për lidhje me bandat dhe me krimin e organizuar.

Poll

MOS HUMB