
TIRANË- Në vitin 2011, Klodian Zoto, një nga biznesmenët e shpallur në kërkim për aferën e inceneratorëve ka gjetur hapësirë në pushtetin vendor. Në dosjen e siguruar nga ZËRI, SPAK del në përfundimin se dhe ish-deputeti Vladimir Kosta është i përfshirë, pasi Ahmetaj, Mërtiri dhe Zoto, takimet i kryenin përgjithësisht tek objekti i quajtur Sky Toëer, i cili është një investim i kryer nga Kosta. Më vonë, sipas SPAK, disa prej ambjenteve të kësaj godine, shndërrohen në selinë e shoqërisë ITS sh.p.k. apo edhe të shoqërive të tjera, të zotëruara në mënyrë të drejtëpërdrejte ose indirekte, nga personat Mërtiri dhe Zoto.
Vetë Ahmetaj, i pyetur si person nën hetim, në lidhje me punët e personave nën hetim Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri deklaron se ka pasur dijeni se merreshin me telekomunikacion dhe projekte bashkish por nuk e dinte saktësisht. Pavarësisht deklaratës, SPAK ka dalë në përfundimin se Ahmetaj, në fakt e ka ditur saktësisht se me çfarë projektesh merreshin Zoto e Mërtiri dhe madje ka qenë i angazhuar drejtëpërdrejtë edhe vetë për arritjen e suksesit të tyre.
Një prej rasteve të përmendura është edhe në vitin 2011, kohë kur duket se në një farë mënyrë është implikuar edhe shtetasi Damian Gjiknuri, siç rezulton nga bisedat telefonike të shkarkuara në kompjuterat e sekuestruara personit nën hetim Klodian Zoto.
Pjesë nga dosja:
24. Nga të dhënat e përftuara nga ekspertimi i kompjuterave të sekuestruara personit nën hetim Klodian Zoto, ku janë shkarkuar komunikime telefonike të kryera mes personave nën hetim Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj apo Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, evidentohet se takimet mes personit nën hetim Mirel Mërtiri (alias Klodian Mërtiri) dhe personit nën hetim Arben Ahmetaj, ndodhin përgjithësisht tek objekti i quajtur Sky Toëer, i cili është një investim i kryer nga një bashkëpunëtor i ngushtë i personit nën hetim Arben Ahmetaj (konkretisht shtetasi Vladimir Kosta) dhe disa prej ambjenteve të kësaj godine, shndërrohen më vonë edhe në selinë e shoqërisë ITS sh.p.k. apo edhe të shoqërive të tjera, të zotëruara në mënyrë të drejtëpërdrejte ose indirekte, nga personat nën hetim Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
25. Gjatë bisedave të ndryshme të zhvilluara me personin nën hetim Arben Ahmetaj, konstatohet se ky i fundit, shpreh interes dhe ka edhe një angazhim maksimal për disa punë të ndryshme, ku janë përfshirë personat nën hetim Mirel Mërtiri apo Klodian Zoto, duke mbështetur vërtetësinë e faktit, se kontratat që personat nën hetim Mirel dhe Klodian, lidhin me institucione të ndryshme, sjellin përfitime të drejtëpërdrejta edhe për personin nën hetim Arben Ahmetaj.
26. Kështu në komunikimet e personave nën hetim Arben Ahmetaj me Mirel Mërtirin, të ekstraktuara nga të dhënat e ekspertimit kompjuterik të kompjuterave të sekuestruara personit nën hetim Klodian Zoto, konstatohet se përmendin disa qytete të R.Shqipërisë, në të cilat rezulton se, shoqëritë e kontrolluara nga personat nën hetim Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, kanë biznese të përbashkëta.
Ndërkohë i pyetur si person nën hetim, Arben Ahmetaj në lidhje me punët e personave nën hetim Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri deklaron se: ...në lidhje me shtetasin Mirel Mërtiri, kur jam njohur, pra në fillim në dijeninë time, është pas marrë me telekomunikacion dhe projekte bashkish por nuk e di se me çfarë projektesh konkretisht.
Siç parashtrohet më poshtë, personi nën hetim Arben Ahmetaj, në fakt e ka ditur saktësisht se me çfarë projektesh merreshin personat nën hetim Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe madje ka qenë i angazhuar drejtëpërdrejtë edhe vetë për arritjen e suksesit të tyre.
26.1. Madje, në këto marrëdhënie, duket se në një farë mënyrë është implikuar edhe shtetasi Damian Gjiknuri, siç rezulton nga bisedat telefonike të shkarkuara në kompjuterat e sekuestruara personit nën hetim Klodian Zoto. I pyetur më datë 01.03.2024, shtetasi Damian Gjiknuri, ka deklaruar: "...Ne vitin 2011, u zhvilluan zgjedhjet vendore dhe Partia Socialiste në Gramsh fitoi 9 nga 11 njësi vendore. Unë isha deputet dhe përgjegjës politik për zonën e Gramshit për Partinë Socialiste. Pas vitit 2011, qeveria Berisha decentralizoi ujësjellësat. Pra ujësjellësat i kaluan Bashkive. Bashkitë ishin aksionerë. Filloi një luftë politike në Shqipëri për të marrë administrimin e ujësjellësave. Kisha dëgjuar që në Fier dhe në disa vende të tjera se PS kishte marrë ujësjellësin, pra që këshilltarët e PS kishin vendosur administratorë të tyre dhe kam pyetur ndoshta Ben Ahmetaj, pasi ai merrej me çështjet ekonomike tek PS kurse unë merresha me pjesën juridike. Ahmetaj më tha që do të më lidhte me nja dy veta që i njoh dhe që merren me çështjet e ujësjellësave që si të bënin letrat këshilltarët e bashkisë. Këshilltarët e bashkisë emëronin këshillin mbikqyrës të ndërmarrjes së ujësjellësit. Arbeni më dha numrin e Klodjan Zotos, dhe më tha është filani, unë i thash e njoh, më tha edhe për Mërtirin por që më përpara nuk e kisha njohur. E kam takuar Klodian Zoton, i cili më tha që do më asistonte se cfarë dokumentash duheshin bërë, unë e lidha më pas me disa përfaqësues në Gramsh, dhe ky proces ka zgjatur dy-tre muaj, derisa u bë emërimi i Drejtorit të Ujësjellësit, i cili quhet Tajar Bici, mesa duket zëvendësoi Luljeta Dollani. Mesa kujtoj ka patur një konflikt administrativ në lidhje me regjistrimin e Ujësjellësit në QKR. Pasi mbaroi asistencën në lidhje me çështjen e ujësjellësit, unë nuk kam patur marrëdhënie më me të. Marrëdhënia jonë u shkëput për rreth një vit, deri kur fituam zgjedhjet e përgjithshme dhe unë u emërova Ministër i Energjisë dhe Industrisë, në vitin 2013...."
Në lidhje me njohjet që kishte Arben Ahmetaj me shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, ka deklaruar edhe shtetasi Damian Gjiknuri, i pyetur më datë 01.03.2024 si vijon: "...Nuk më kujtohet kush ma ka prezantuar Mirel Mërtirin, ndoshta Arben Ahmetaj ose Klodian Zoto. Mirel Mërtirin pra e njoh. Unë mesa më kujtohet, Mirel Mërtirin duhet ta kem takuar nja dy-tre herë, një herë në Vienë...."
SPAK e ka marrë të pandehur ish zv/kryeministrin Ahmetaj për disa akuza si korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Në SPAK gjithashtu është thirrur si dëshmitare edhe ish-bashkëshortja e tij, Albina Mançka. Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur edhe Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, të cilët nuk janë vënë në prangat e policisë, lidhur me fraksionin e ndarë të inceneratorit të Elbasanit. Sipas prokurorisë së posaçme, Ahmetaj ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme si dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve. Ahmetaj aktualisht ndodhet në Zvicër, ku i është refuzuar kërkesa për azil politik, ndërsa vijon akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, për lidhje me bandat dhe me krimin e organizuar.