
TURQI- Një gjykatë turke ka dënuar me burg prej 250 vitesh, 37 persona të dënuar për spiunazh për Mossad, shërbimin e jashtëm të inteligjencës izraelite. Mes të dënuarve është edhe shqiptari Liridon Rexhepi. Sipas një dokumenti gjyqësor të zbuluar nga The National, dënimet vijnë pasi Turqia thotë se po ndjek agjentët e Mossad-it në vend mes një rënieje në marrëdhëniet e saj me Izraelin, të shkaktuar nga pikëpamjet e kundërta për luftën në Gaza.
Ahmet Koray Ozgurun dhe Alperen Erkut u dënuan secili me nga tetë vjet e një muaj për "marrje informacioni të ndaluar me qëllim spiunazhi", sipas një liste akuzash nga Gjykata e Lartë Penale e Stambollit. Ata kanë të drejtë ankimimi dhe koha e kaluar në paraburgim do t'u hiqet nga dënimi. Tridhjetë e pesë të tjerë u dënuan me gjashtë vjet e tetë muaj burg për të njëjtën akuzë, thuhej në dokument.
Të 35 të pandehurve që nuk ishin në paraburgim u është shqiptuar ndalimi i udhëtimit dhe kanë të drejtë ankese. Avokati i tyre tha se nuk kishte prova konkrete kundër klientëve të tij, raportoi kanali turk i lajmeve Haberturk. Nëntëmbëdhjetë të pandehur të tjerë u liruan dhe kanë të drejtë të ngrenë padi për kompensim, thuhet në aktakuzën e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit.
Dënimet e shtuara nënkuptojnë se të dënuarit do të kalojnë kolektivisht rreth 250 vjet pas hekurave, një shenjë kjo që tregon se sa seriozisht po e merr Turqia spiunazhin në tokën e saj. Muajin e kaluar, Turqia pretendoi se kishte arrestuar financierin kryesor të Mossad në vend. Liridon Rexhepi, një shtetas nga Kosova, që hyri në Turqi më 25 gusht dhe u arrestua pesë ditë më vonë në Stamboll nga një njësi kundër terrorizmit, pas punës së shërbimit të inteligjencës turke MIT.
Në atë kohë, një burim turk i sigurisë konfirmoi për The National se Rexhepi ishte akuzuar për "spiunazh kundër shtetit", pasi autoritetet arritën në përfundimin se ai u transferonte para agjentëve në terren të Mossad në Turqi, të cilët po operonin me drone.
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Izraelit janë përkeqësuar në mënyrë dramatike që nga sulmet e 7 tetorit nga Hamas në Izraelin jugor, të cilat vranë rreth 1200 njerëz dhe çuan në nisjen e luftës në Gaza. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan dhe udhëheqës të tjerë turq kanë shprehur mbështetje për Hamasin dhe kanë kritikuar sjelljen e Izraelit në operacionet e tij ushtarake, të cilat kanë vrarë më shumë se 41,000 njerëz në Palestinë që nga fillimi i luftës./ ZËRI