TIRANË- Gjykata e Apelit dënoi me 35 vite burg Azgan Mornicën, ndërkohë që gjykata e Fierit më herët pati dhënë dënim me burg të perjetshëm për autorin. Një ditë pas vendimit të gjykatës që zbuti dënimin për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Përmes një reagimi publim në rrjete sociale, ministri Lamallari e cilëson një akt me pasoja të rrezikshme, pasi vrasja e efektivit të 'Shqiponjave' ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit.
“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor.
Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë. #LavdiDëshmorëvetëPolicisë.”, shkruan ministri Lamallari.