TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pavlefshmërinë e vendimit të 9 shkurtit të GJKKO-së që kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut. Në një deklaratë për mediat, përmes avokatit të tij Plarent Ndreca, Veliaj thotë se procesi është zhvilluar në shkelje të rëndë ligjore, pasi iu mohua analizimi i dosjes.
Në kërkesë theksohet se procesi është antikushtetues dhe për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme.
Deklarata e plote e mbrojtjes së Veliajt
Të nderuar përfaqësues të medias,
Në vijim të praktikës sonë për të informuar opinionin publik mbi çdo veprim ligjor të ndërmarrë nga mbrojtja e z. Veliaj, ju bëjmë me dije se sot kemi depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit nr. 29, datë 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe për pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve të kryera mbi bazën e këtij vendimi.
Kërkesa jonë përfshin gjithashtu shpalljen si antikushtetuese të dy dispozitave ligjore që kanë kontribuar drejtpërdrejt në cenimin e të drejtave kushtetuese të z. Veliaj, si dhe të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, që ndodhet në të njëjtat kushte.
Thelbi është i qartë:
Ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore. Z. Veliaj dhe mbrojtjes së tij i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, duke e reduktuar mbrojtjen në një formalitet; Parimi i barazisë së armëve është cenuar, pasi prokuroria ka vepruar në avantazh të plotë procedural; Gjykimi është zhvilluar në kushte që cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës; Z. Veliaj është trajtuar në mënyrë të tillë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave ku ai duhet të mbrohet i lirë.
Në këto kushte, vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë mbi një proces të kompromentuar në themel, duke prodhuar një proces antikushtetues dhe për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme.
Për këto arsye, i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese:
të shfuqizojë vendimin e seancës paraprake;
të shpallë të pavlefshme veprimet e kryera mbi bazën e tij;
të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 14 të ligjit nr. 95/2016;
të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën nenin 332/gj të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo nuk është thjesht një çështje individuale. Është një sfidë për rivendosjen e rendit kushtetues dhe lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon drejtësia në këtë vend. Ne do të përdorim çdo mjet ligjor për të garantuar që Kushtetuta dhe standardet evropiane të mos mbeten deklarative në letër, por të zbatohen realisht, ashtu siç sovrani – populli shqiptar – ka shprehur vullnetin e tij përmes miratimit të Kushtetutës.
Faleminderit.
Av. Plarent NDRECA
Mbrojtësi i z. Erion Veliaj
Pas një viti nga arrestimit i kryebashkiakut, më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi kalimin për gjykim në themel të dosjes në ngarkim të Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
