TIRANË- Duke nisur nga sot, 10 prill, hyjnë në fuqi rregullat e reja të lëvizjes në zonën Shengen në 29 shtetet anëtare të Bashkimit Europian, pasi vendoset plotësisht në funksion sistemi i ri o hyrje - daljeve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftuan dje qytetarët shqiptarë, të cilët preken nga ky ndryshim, hyrja në fuqi e Sistemit Evropian i Hyrjes/Daljes (Entry/Exit System – EES), i cili zëvendëson vulosjen manuale të pasaportave me regjistrimin elektronik të hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Evropian.
Me sistemin e ri, udhëtarët do të duhet të skanojnë pasaportat ose dokumentet e tjera të udhëtimit në një qendër vetëshërbimi sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi do të regjistrojë emrin e udhëtarit, të dhënat biometrike, si dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. Skanimet e fytyrës dhe të dhënat e gjurmëve të gishtërinjve të marra gjatë regjistrimit të parë ruhen në bazën e të dhënave EES për tre vjet. Kështu, kur hyjnë dhe dalin në kufi, udhëtarët do të duhet të japin vetëm një gjurmë gishti ose një foto, të cilat do të krahasohen me të dhënat e ruajtura.
Sistemi EES zbatohet për qytetarët jo-BE/Shengen që shkojnë në vendet e Shengenit ose të BE-së për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore. Kjo përfshin qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe udhëtarët e përjashtuar nga viza, pavarësisht nëse udhëtojnë për turizëm apo biznes. Kjo vlen edhe për njerëzit që zotërojnë prona në BE, por nuk kanë leje qëndrimi./ZËRI
