Aktualitet

Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin, ‘Mjekësia’: Studentët fituan

Studentët e konsideruan si një triumf të tyre vendimin dhe theksojnë se qëndrimi i tyre i ka shërbyer si leksion gjithë shoqërisë.

k.m.
Gjykata Kushtetuese pezulloi ligjin, ‘Mjekësia’: Studentët
foto ilustruese

TIRANË- Një ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pezulloi ligjin për studentët e mjekësisë, këta të fundit kanë dalë në një deklaratë për mediat. Studentët e konsideruan si një triumf të tyre vendimin dhe theksojnë se qëndrimi i tyre i ka shërbyer si leksion gjithë shoqërisë. Studentët shprehen të bindur se drejtësia do të do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje.

Në deklaratën e tyre studentët sqarojnë se mësimi ka vijuar normalisht, madje janë duke zëvendësuar edhe orët e humbura. Me pezullimin e ligjit, kjo tregon se studentët janë rikthyer në auditorë me kushtet e vjetra. 

“Kemi shpresë që drejtësia do triumfojë dhe jemi të bindur se asnjëherë e drejta nuk dhurohet, e drejta fitohet sepse e drejta është e atyre që luftojnë deri në fund dhe lufta bëhet për të qëndruar në këtë vend me dinjitet. Seanca do të mbahet me 21 dhjetor në orën 10:00. Kemi treguar këmbëngulje, kemi treguar që besimin dimë ta shndërrojmë në forcë, bashkim, qëndrim, unitet. Mësimi ka filluar dhe jemi rikthyer orëve, duke zëvendësuar edhe orë të humbura, kemi gjetur mirëkuptimin nga të gjithë. Shpresoj që drejtësia të vazhdojë, falenderojmë të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë, kemi treguar leksionin më të madh që është treguar ndonjëherë, që studentët arrijnë të fitojnë”, tha një prej përfaqësuesve të studentëve.

Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka pezulluar deri në shqyrtimin e plotë të çëshjes, zbatimin e ligjit që detyron studentët e Mjekësisë që të punojnë për 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në këmbim të diplomës universitare. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas qëndresës së vazhdueshme që bënë studentët e Mjekësisë. Gjykata u ka dhënë përkohësisht të drejtë studentëve, të cilët bojkotuan rreth një muaj vitin e ri akademik 2023-2024./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB