
TIRANË- Kryetari i arrestuar i Bashkisë Tiranë pret ëë Gjykata e Lartë të shqyrtojë ankimimin e tij për lirimin nga qelia. I arrestuar që më datë 10 shkurt, Veliaj ka depozituar ankimim në Gjykatën e Lartë. Mirëpo, ende nuk ka një datë për seancën gjyqësore.
Ankimimi i Veliajt do të shqyrtohet nga Albana Boksi. Në Gjykatë të Lartë kanë ankimuar masat e sigurisë edhe biznesmenët: Elman Abule, Neriman Palushi, Gentjan Sula e Shkëlqim Fusha.
Një ditë më parë ishte planifikuar që të mbahej seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në të cilën do bëhej raportimi 2-mujor i hetimeve të kryera deri në këtë fazë nga prokurori i çështjes, Ols Dado.
Por seanca është shtyrë për shkak se mungesës së biznesmenit Elman Abule. Kështu, seanca e radhës do të zhvillohet të martën, 17 qershor, në orën 11:30.
Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste.