
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Drejtorinë e Burgjeve që të marrë masa për të siguruar jetën e Dashnor Dumanit, vëllait të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP, të marrin masa për sigurinë e jetës dhe të shëndetit të personit nën hetim, Dashnor A. Dumani, patur parasysh situatën e tij familjare në të cilën gjendet”-thuhet në vendimin e gjykatës, sipas Top Channel.
Megjithatë, në këtë vendim nuk jepen më shumë detaje se çfarë rreziku i kanoset konkretisht Dashnor Dumanit. Ai u ekstradua nga Dubai së bashku me Armis Stafën.
Dashnor Dumani akuzohet për vrasje dhe vjedhje. Konkretisht, ai dyshohet nga SPAK për përfshirje në masakrën e Bradasheshit, ku mbetën të vrarë tre persona; Endrit Alibej, daja i tij Arben Dylgjeri, si dhe Erdal Durunay, me nënshtetësi turke. Po ashtu, dyshohet se ka marrë pjesë edhe në grabitjen e ndodhur në pistën e aeroportit të Rinasit.
Masa ka ndryshuar për Armis Stafën. GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi” për Armis Stafën, i cili akuzohet se ka pastruar paratë e vëllezërve Franc Çopja dhe Hajdar Çopja në Elbasan.