
VLORË- Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha e ka parë të pamundur eliminimin e mundësisë që të ketë zjarre në fushëmbetjen në Vlorë. Në një prononcim për gazetarët, Dredha thotë se ka nisur përdorimi i qelizës së parë të landfillit të Sherishtës, ku do të hidhen mbetjet urbane. Por, ai shton se në fushëmbetjen ku depozitohen prej 40 vitesh, vetëm një ‘magji’ mund të sigurojë që të mos ketë zjarr.
“Kemi nisur të përdorim qelizën e parë të landfillit të Sherishtës, hedhim mbetjet urbane këtu. Landfilli do të jetë me afat 20 vite si përdorim, do të jetë me faza është qeliza e parë dhe e dytë dhe do të shtohen edhe 2 të tjera më vonë. Po bëjmë një operacion pilot atje, me qëllim që të bëjmë sa të mundemi, me mjete rrethanore po themi apo me mjete që ne kemi në dispozicion, po përdorim dheun por asnjëherë ndërhyrje me teknikë të lartë. 40 vite mbetje të kompostuar në atë fushë vetëm me magji mund të pretendojmë që zjarri të mos jetë prezent,”- tha Dredha.